Lajme

Sulmohen dy zyrtarë policorë në Rahovec, pas ndeshjes mes Trepçës dhe Sigal Prishtinës


Policia e Kosovës.

Dy zyrtarë të Policisë së Kosovës janë sulmuar në Rahovec pas përfundimit të ndeshjes mes Trepçës dhe Sigal Prishtinës.

Lajmin për Albanian Post e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjakovës, Nysret Gjurkaj.

“Sulmi ka ndodhur të dielën pas ndeshjes së basketbollit mes Trepçës dhe Sigal Prishtinës. Pas përfundimit të lojës duke dalur nga stadiumi zyrtarët policorë janë sulmuar”, ka thënë Gjurkaj për AP.

Ai tutje ka theksuar se është raportuar edhe për një person të tretë që është sulmuar, mirëpo që më pas ka rezultuar që të jetë informacion i pavërtetë.

Ndërsa, sa i përket gjendjes së tyre shëndetësore nga zëdhënësi i Gjakovës është thënë se gjendja e tyre është stabile.

“Jo nuk kanë lëndime shumë të rënda, kanë përdorur sprej ndaj tyre. Trajtimin e kanë marrë në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Rahovec, tani trajtimi i tyre ka kaluar në shtëpi”.

“Fillimisht është raportuar për tre persona, ndërsa në bazë të raportit në fund kanë rezultuar të jenë dy”.

Edhe, policia e Kosovës përmes raportit 24 orësh ka bërë të ditur se disa zyrtarë të Policisë janë sulmuar nga një person të dielën në Rahovec.

“Është raportuar se disa persona kanë sulmuar zyrtarët policor që ishin në kryerje të detyrës ku si pasojë dy zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime. Viktimat kanë marrë tretman mjekësor”, thuhet në raport.

Për këtë rast nga ana e policisë është thënë se kanë nisur hetimet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore