Lajme

Sulmi vdekjeprurës ndaj spitalit në Gazë, Osmani: Jetët e pafajshme duhet të mbrohen


Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka dënuar sulmin vdekjeprurës ajror ndaj një spitali në Rripin e Gazës të martën vonë, ku po shëroheshin të plagosur dhe po strehoheshin shumë palestinez.

“Është shkatërruese të shohësh pasojat në jetë njerëzore me qindra viktima civile pas bombardimit të një spitali në Gaza, duke përfshirë gra dhe fëmijë”, ka shkruar Osmani në platformën sociale, X.

Jetët e pafajshme, sipas Osmanit, duhet të mbrohen.

“Fatkeqësisht, janë civilët ata që vuajnë më shumë në çdo konflikt”.

Ministria e Shëndetësisë e Gazës tha se të paktën 500 persona janë vrarë si pasojë e këtij sulmi, për të cilin e ka fajësuar Ushtrinë e Izraelit.

Izraeli i ka mohuar akuzat se e ka bombarduar spitalin.

Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha të martën vonë se sulmi ndaj spitalit Al-Ahli e “shton tmerrin e tragjedisë që po ndodh para syve tanë tash e sa ditë.”

“Përsëri, civilët e pafajshëm po e paguajnë më së shtrenjti. Duhet gjetur qartazi se kush është përgjegjës për këtë krim dhe kryerësit e tij të mbahen përgjegjës”, tha ai.

Në anën tjetër Emiratet e Bashkuara dhe Rusia kanë kërkuar takim urgjent të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara më 18 tetor, pas sulmit vdekjeprurës në spitalin e qytetit të Gazës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore