Lajme

Sulmi rus në Ukrainë largon vëmendjen nga Navalny – rrezikon edhe 15 vite burg


Në sfondin e ashpërsisë së Rusisë në Evropën Lindore, “fati” i Alexei Navalny-t është lënë në hije.

Burgimi i tij mund të zgjatet  deri në 15 vjet të tjera, në një gjyq të ri penal.

Udhëheqësi i opozitës ruse akuzohet për përvetësim të donacioneve për organizatën e tij kundër korrupsionit FBK, e cila ka akuzuar Vladimir Putin-in se zotëron një pallat prej 1 miliard funtesh dhe zyrtarë të tjerë të lartë që pasurohen përmes skemave korruptive.

Navalny i ka mohuar akuzat, duke i cilësuar ato të motivuara politikisht.

Gjyqi i ri për përvetësim filloi të martën brenda kolonisë penale IK-2 në Vladimir, një mjedis i pazakontë tre ose katër orë me makinë në lindje të Moskës, që kufizon rëndë aftësinë e mbështetësve dhe vëzhguesve për të marrë pjesë në seancat.

Presidenti rus, Vladimir Putin

Navalny po vuan një dënim prej tre vjet e gjysmë në burg për një akuzë të veçantë për përvetësim.

Ai i mbijetoi një tentative helmimi në vitin 2020 dhe u arrestua pasi u kthye në Rusi vitin e kaluar.

Familja dhe mbështetësit e tij thonë se Kremlini po kërkon një dënim të lehtë, duke e mbajtur gjyqin brenda një kolonie burgu shumë larg bazës së tij mbështetëse në Moskë.

“Autoritetet duan ta fshehin atë nga të gjithë njerëzit, nga mbështetësit e tij, nga gazetarët”, shkroi gruaja e tij, Yulia Navalnaya, në një postim në median sociale “Instagram” në prag të gjyqit. “Është kaq patetike saqë kanë frikë ta mbajnë gjyqin në Moskë”.

Ndërsa seancat filluan të martën, e pranishme ishte edhe gruaja e tij Navalnaya dhe Navalny nuk u mbajt në kafaz, siç është zakon gjatë procedurave penale ruse, sepse salla e gjyqit ishte brenda një burgu.

Maria Pevchikh, tjetër aleate e lartë e Navalny-t, ka thënë se rreziku për të është rritur, pasi vëmendja e publikut është larguar gjithnjë e më shumë nga shqetësimet për të drejtat e njeriut te potenciali për një sulm rus në Ukrainë.

Gazetarët thanë se atyre që dëshironin të hynin në sallën e gjyqit u ndalohej të sillnin laptop, telefona ose pajisje regjistrimi.

Navalny akuzohet për përvetësim të donacioneve për fondin e tij kundër korrupsionit, i cili ka udhëhequr hetimet ndaj zyrtarëve të qeverisë dhe ka shkaktuar protesta të mëdha kundër Putin-it për vite me radhë.

Gjithashtu ai akuzohet për shpërfillje të gjykatës për gjoja fyerje të një gjyqtari gjatë një gjyqi të mëparshëm, ku ishte akuzuar për shpifje ndaj një veterani ushtarak.

Qeveria ka kërkuar të shpërbëjë rrjetin politik kombëtar të Navalny-t, duke hapur çështje penale kundër ndihmësve të tij kryesorë, koordinatorëve rajonalë dhe e shpallur rrjetin e tij politik si ekstremist. Shumë nga aleatët e tij më të ngushtë janë detyruar të mërgojnë.

Një film dokumentar për Navalny-in, i cili për pak i mbijetoi një tentative të dukshme helmimi me novichok, u shfaq premierë në festivalin e filmit Sundance në fillim të këtij viti.

Filmi 90-minutësh, i titulluar thjesht “Navalny”, paraqiste pamjet e liderit të opozitës ruse, të filmuara gjatë disa muajve që ai kaloi në Gjermani në fund të vitit 2020, teksa u shërua nga helmimi. Ka intervista me Navalny-in, gruan e tij dhe ekipin e tij më të afërt.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore