Lajme

Rusi, zëdhënësja e Navalny-it dënohet për thirrjen e demostrave


Kira Yarmysh

Një gjykatë në Moskë, të hënën e 16 gushtit, ka dënuar zëdhënësen e politikanit të burgosur të opozitës Alexei Navalny, Kira Yarmysh – me 18 muaj të ashtuquajtur “liri të kufizuar”.

Një prokuror i kishte kërkuar gjykatës që të dënonte Yarmysh me akuzën e thirrjes publike për shkeljen e kufizimeve të vendosura nga autoritetet në përpjekje për të frenuar përhapjen e coronavirus-it – duke i nxitur njerëzit të marrin pjesë në tubime të paligjshme për të mbështetur Navalny-in në janar.

Yarmysh shkroi në median sociale Twitter se gjykata e rrethit Preobrazhensky ka anuluar kërkesën e saj për ndryshim mase në “arrest shtëpie”.

Në fillim të këtij muaji, vëllai i Navalny-it, Oleg u shpall fajtor për të njëjtat akuza dhe iu dha një dënim me kusht: një vit me kusht dhe një vit provë.

Dy bashkëpunëtorë të Navalny-it, Nikolai Lyaskin dhe Lyubov Sobol, u shpallën fajtorë dhe iu dhanë dënime të ngjashme me lirimin me kusht – një vit dhe 18 muaj, respektivisht.

Raportet e mediave thonë se Sobol u largua nga Rusia pasi kjo nuk është konfirmuar as nga bashkëpunëtorët e saj.

Një pjesëmarrës në tubimin e janarit, Dani Akel, u gjobit me 100 mijë rubla (gati 1,400 dollarë) për akuza të ngjashme.

Individë të tjerë janë akuzuar duke përfshirë avokatët komunal Dmitry Baranovsky dhe Lyusya Shtein; shefja e OJQ -së Aleanca e Mjekëve, Anastasia Vasilyeva; një anëtar kryesor i grupit të protestës “Pussy Riot”, Maria Alyokhina; dhe një koordinator i ekipit të Navalny-t në Moskë, Oleg Stepanov.

Shumica e tyre janë nën arrest shtëpiak ose pa të drejte dalje nga shteti.

Alexei Navalny u arrestua më 17 janar pasi u kthye në Rusi nga Gjermania – ku u trajtua për helmim me një agjent nervor të tipit “Novichok”.

Për këtë të fundit ai ka hedhur akuza se ishte urdhëruar nga Presidenti rus Vladimir Putin.

Autoritetet e Kremlinit kanë mohuar çdo rol në incidentin, i cili ishte sulmi i fundit ndaj Navalny-it.

Më shumë se 10 mijë njerëz u mblodhën gjatë tubimeve mbarëkombëtare që protestonin kundër arrestimit të Navalny-it të organizuar në më shumë se 100 qytete ruse më 23 janar dhe 31 janar.

Më 2 shkurt, Navalny u dënua për shkelje të kushteve të dënimit të tij të pezulluar në lidhje me një rast përvetësimi që ai e ka quajtur të motivuar politikisht.

Kritiku i hapur i Kremlinit aktualisht po vuan një dënim prej 2 vite e gjysmë për shkelje të lirimit me kusht.

Ky vendim nxiti protesta të reja që u shpërndanë gjithashtu me forcë nga policia.

Më shumë se 1 mijë e 400 njerëz u arrestuan nga policia në Moskë, Shën Petersburg dhe qytete të tjera ruse gjatë atyre demonstratave.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore