Lajme

Navalny-t, edhe një akuzë tjetër


Autoritetet ruse kanë akuzuar disidentin rus, Alexei Navalny, për një tjetër vepër penale.

Ky vendim mund të zgjasë qëndrimin e politikanit pas hekurave nëse ai dënohet.

Komiteti Hetues tha më 11 gusht se e kishte akuzuar Navalny-n për krijimin e një organizate, që shkel të drejtat dhe sigurinë personale të qytetarëve.

Kritiku i hapur i Kremlinit aktualisht po vuan një dënim prej 2 vite e gjysmë për shkelje të lirimit me kusht.

Navalny pritet të përballet me tre vite burg shtesë nëse shpallet fajtor për akuzat e reja.

Një dënim i tillë mund ta mbajë Navalny-n në paraburgim edhe pas zgjedhjeve të ardhshme presidenciale në 2024, kur do të përfundojë mandati aktual gjashtëvjeçar i Putin-it në Kremlin.

Komiteti Hetues tha se akuzat ishin të lidhura me aktivitetet e Fondacionit Anti-Korrupsion të Navalny-t (FBK).

Përkrahësit, që postojnë në mediat sociale me emrin Team Navalny, e përshkruan akuzën si “të pakuptimtë”.

“Askush nuk cenon personalitetin dhe të drejtat e qytetarëve si vetë Putini dhe të gjithë përkrahësit e tij, përfshirë Komitetin Hetues”, thanë ata në Telegram.

Navalny u arrestua në janar, kur u kthye në Rusi nga Gjermania, ku mori trajtim ndaj një sulmi helmues në Siberi në gusht të vitit 2020.

Burgosja e tij shkaktoi protesta të shumta në të gjithë Rusinë, të cilat u shpërndanë me dhunë nga policia.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë kërkuar nga autoritetet ruse lirimin e Navalny-t, duke e quajtur rastin e tij të motivuar politikisht.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore