Lajme

Përvjetori i arrestimit të Navalny-t: BE-ja i kërkon Moskës ta lirojë


Bashkimi Evropian i bëri thirrje Moskës zyrtare që të lirojë menjëherë Alexei Navalny-n, kritikun më të zëshëm të presidentit rus Vladimir Putin.

Ky i fundit, u burgos një vit më parë në atë që BE-ja e dënoi si “një akt të motivuar politikisht”.

“Sot shënon një vit nga arrestimi dhe burgimi i politikanit të opozitës rus Alexei Navalny pas kthimit të tij në Rusi nga trajtimi mjekësor në Berlin”, deklaroi shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell.

Borrell ka përsëritur thirrjen ndaj autoriteteve ruse për lirimin e tij të menjëhershëm dhe të pakushtëzuar pa vonesa të mëtejshme.

Shefi i diplomacisë evropiane dënoi gjithashtu atë që ai e quajti një fushatë të vazhdueshme dezinformimi kundër Navalny-t.

Autoritetet ruse në muajt e fundit kanë goditur grupet e lidhura me aktivistin 45-vjeçar.

Alexei Navalny
Situata

Navalny po vuan dy vjet e gjysmë burg për shkelje të lirimit me kusht.

Në qershor, një gjykatë ruse vendosi se fondacioni kundër korrupsionit i Navalny ishte “ekstremist”.

Navalny u dërgua në Gjermani për trajtim mjekësor në gusht të vitit 2020 pasi u helmua në Siberi.

Ekspertët perëndimorë arritën në përfundimin se shkaku ishte agjenti nervor ushtarak “Novichok”.

Qeveria ruse ka mohuar se qëndron pas helmimit dhe ka hedhur poshtë gjetjet e ekspertëve.

Presidenti rus Vladimir Putin
Vlerësimi

Udhëheqësi i opozitës ruse, u vlerësua në muajin tetor të vitit 2021 me çmimin “Sakharov Për Lirinë e Mendimit”.

Ky është çmimi më i lartë i BE-së për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Çmimi u zgjodh nga drejtuesit e partive politike të përfaqësuara në Parlamentin Evropian (PE), gjatë një sesioni plenar në Strasburg.

Navalny, armiku më i shquar i presidentit rus, Vladimir Putin, u nominua përkrah grave afgane.

Pjesë e nominimit ishte dhe Jeanine Áñez, një politikane boliviane e cila u bë presidente e përkohshme në vitin 2019.

Fituesit e parë të këtij çmimi ishin Nelson Mandela dhe Anatoli Marchenko.

“Çmimi i sotëm njeh trimërinë e tij të pamasë dhe ne përsërisim thirrjen për lirimin e menjëhershëm të Navalny-t”, do të deklaronte i ndjeri David Sassoli, në një postim në Twitter.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore