Lajme

Sulmi izraelit në aeroportin e Damaskut kishte shënjestër milicitë iraniane


Damasku u zgjua nga disa sulme izraelite, herët këtë të premte, raportoi media shtetërore siriane, duke thënë më vonë se aeroporti i qytetit ka pezulluar përkohësisht fluturimet.

Një monitorues i luftës tha se sulmet izraelite kishin në shënjestër magazinat e përdorura nga milicitë iraniane në afërsi të Aeroportit Ndërkombëtar të Damaskut, duke cituar burime që thanë se tre vende ishin dëmtuar.

Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut shtoi se disa anëtarë të milicive iraniane të pranishme atje u plagosën, por nuk dha informacion më specifik.

Al Arabiya raportoi se dërgesat iraniane të armëve ishin objektivi i sulmit gjatë natës.

Media shtetërore tha se mbrojtja ajrore siriane kapi raketat dhe rrëzoi shumicën e tyre, duke shtuar se sulmi shkaktoi një lëndim civil dhe disa dëme materiale.

Më vonë të premten, media shtetërore shkruan se të gjitha fluturimet nga dhe drejt aeroportit janë pezulluar, duke thënë se disa pajisje janë jashtë shërbimit, por duke mos e lidhur drejtpërdrejt me sulmin.

Fluturimet do të rifillojnë sapo të rregullohen pajisjet e dëmtuara, sipas Ministrisë Siriane të Transportit.

Observatori shtoi se sulmi dëmtoi pistën veriore të aeroportit, e vetmja që ende funksiononte pas një sulmi tjetër izraelit, që gjithashtu thuhet se kishte shënjestruar dërgesat e armëve iraniane.

Mësohet se është dëmtuar edhe kulla e kontrollit të aeroportit.

Ndërsa punimet për riparimin e asfaltit janë duke u zhvilluar, disa fluturime po devijohen drejt aeroportit të Aleppos.

Ky është raporti i dytë i një sulmi izraelit në Siri këtë javë dhe, sipas të dhënave të Observatorit Sirian, i 15-ti i këtij viti.

Televizioni shtetëror sirian raportoi të hënën se mbrojtja ajrore është aktivizuar në përgjigje të një sulmi izraelit që synonte pjesët jugore të Damaskut.

Sulmi shkaktoi disa dëme materiale, thuhet në raport, duke mos përmendur viktima.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore