Lajme

Sulm kibernetik masiv ndaj qeverisë së Malit të Zi


Një sulm masiv kibernetik ka goditur shtetin fqinj të Malit të Zi, ku sipas ët dhënave paraprake mësohet se infrastruktura e informacionit së qeverisë malazeze ka rënë pre e kësaj goditjeje nga hacker-ë ende të paidentifikuar.

Qëllimi i tyre, sipas drejtorisë së Administrimit Elektronik dhe Sigurisë së Informacionit, ka qenë ai i kriptimit të të dhënave qeveritare. Mirëpo, sulmuesit nuk ia kanë dalë në këtë përpjekje.

Dushan Polovic, pjesë e drejtorisë për sigurinë e informacionit, ka deklaruar për mediat malazeze se me siguri të plotë, mund të thotë se të dhëna të kriptuara nuk ka pasur në sistem.

Mirëpo, disa prej faqeve online, janë mbyllur përkohësisht, për arsye sigurie. Këtu përfshihen edhe portali e-government.

Polovic vijoi më tej duke shpjeguar se nuk bëhet fjalë vetëm për të dhëna qeveritare, të cilat gjenden në faqe, por edhe për korrespondencë, shkëmbime brenda sistemit, apo të dhëna sekrete të Qeverisë.

Pre e mundshme e sulmit kanë qenë edhe institucionet e sistemit të drejtësisë apo mbrojtjes.

Ky sulm, vjen pikërisht ditë pas rrëzimit të Dritan Abazoviç dhe kabinetit të tij qeveritar, me një mocion mosbesimi në Parlament.

Ndërkohë, një sulm i ngjashëm ndodhi në Shqipëri muajin e shkuar, ku u tentua të vidhen të dhëna qeveritare dhe për disa kohë, shërbimet e faqeve u pezulluan.

Pas sulmit në Shqipëri, me shumë gjasë fshihet një grup iranian i quajtur “Homeland Justice”, i cili ka marrë edhe autorësinë e tij. Por, ende asgjë nuk është faktuar.

Nga Qeveria shqiptare kanë bërë me dije se dy shtete dyshohen se mund të jenë organizues të sulmit kibernetik, por ende nuk është bërë me dije se cilat janë ato.

Aq më tepër, nëse kemi të bëjmë me të njëjtin rast në Malin e Zi, pasi skenarët janë shumë të ngjashëm.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore