Lajme

Suedia do të distancohet nga grupet kurde për t’u anëtarësuar në NATO


Qeveria e re e Suedisë do të distancohet nga milicia kurde YPG ndërsa përpiqet të fitojë miratimin e Turqisë për t’u anëtarësuar në NATO.

Kështu deklaroi ministri i jashtëm suedez për Radion Suedeze të shtunën e 5 nëntorit.

Milicia kurde siriane YPG dhe dega e saj politike PYD konsiderohen nga Turqia si zgjerime të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK).

Kjo e fundit, nisi një kryengritje kundër Turqisë në vitin 1980 dhe konsiderohet si një grup terrorist nga Turqia, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Suedia, së bashku me Shtetet e Bashkuara dhe disa vende të tjera të NATO-s, kanë mbështetur YPG-në në luftën kundër Shtetit Islamik.

Megjithatë, Turqia është zotuar të bllokojë aplikimin e Suedisë për t’u bashkuar me NATO-n nëse ajo nuk ndalon së mbështeturi grupin e milicisë.

Lëvizja vjen vetëm disa ditë përpara se kryeministri Ulf Kristersson të udhëtojë në Ankara në përpjekje për të bindur presidentin e Turqisë Tajip Erdogan që të lejojë Suedinë të bashkohet me aleancën ushtarake.

Suedia dhe Finlanda aplikuan për t’u bashkuar me NATO-n në fillim të këtij viti si pasojë e drejtpërdrejtë e pushtimit rus të Ukrainës.

Aplikimi është miratuar nga 28 nga 30 vendet e NATO-s. Vendet nordike thanë këtë javë se ishin optimiste se edhe Hungaria do të hiqte kundërshtimet e saj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore