Lajme

Stuhi e fuqishme në Serbi, era heq çatitë e shtëpive


Ilustrim

Pas Sllovenisë, një stuhi e fortë e shoqëruar me reshje të dendura shiu, erë të stuhishme dhe breshër ka goditur Serbinë, fillimisht pjesën perëndimore, por shumë shpejt ka arritur edhe në Beograd.

Gornji Milanovac, fshatrat Koštuniçi, Pranjani, Leusiçi dhe Teoçini, komunat Ub dhe Lajkovaç dhe Obrenovaç kanë qenë vatrat e para të stuhisë, transmetojnë mediat serbe.

Stuhia e fuqishme goditi Beogradin pas orës 14:00, duke bërë që të bëhet errësirë në mes të ditës.

Era e fortë, bubullima dhe vetëtima kanë boshatisur rrugët e këtij qyteti, ndërsa kudo ka degë të thyera.

Siç shihet nga pamjet e publikuara, era e fortë që ka fryrë ka hequr catitë e shtëpive dhe ka shkulur pemët. Breshëri që ka rënë e ka pasur madhësinë e arrës.

Rruga Karagjorgjeva në Beograd është përmbytur, po ashtu edhe tuneli Terasian në qendër të kryeqytetit serb është përmbytur plotësisht.

Situatë e rëndë ka qenë edhe në Çaçak, ku era e stuhishme ka goditur qytetin dhe zonën përreth.

Në disa fshatra ka pasur ndërprerje të furnizimit me energji elektrike.

“Për momentin nuk ka asnjë informacion për qytetin”, thonë autoritetet serbe.

Instituti Hidrometeorologjik i Serbisë ka thënë se është shumë herët për të folur për pasojat e stuhisë, e cila sapo ka nisur.

Instituti Hidrometeorologjik serb ka paralajmëruar se në të gjithë vendin pritet ndryshim i ndjeshëm i motit, ndërsa në pjesën e dytë të ditës mot i ashpër në formë të reshjeve të dendura, breshër dhe erëra të furishme.

Siç theksuan ata, vranësira me reshje shiu, rrebeshe, bubullima, rënie të temperaturës dhe erë mesatare, herë pas here e fortë veriperëndimore, e cila ka prekur rajonet perëndimore dhe jugperëndimore të Serbisë, “pasdite dhe në mbrëmje do të përhapet edhe në pjesët tjera të vendit”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore