Lajme

Studimi amerikan zbulon ngacmimet seksuale në ekspeditat e Antarktidës


Një raport i porositur nga Fondacioni Kombëtar i Shkencës (NSF), zbuloi se ata që punojnë në Antarktidë në përgjithësi nuk u besojnë punëdhënësve të tyre që t’i marrin seriozisht ankesat për ngacmime, shkruan revista “Science”.

Në përgjithësi, 72 për qind e grave raportuan ngacmimin seksual si problem, sipas një sondazhi të vitit 2021 të cituar në raport.

Sondazhi përfshiu njerëz që kishin punuar në Antarktidë në 3 vitet e mëparshme, duke përfshirë shkencëtarë, si dhe kuzhinierë apo portierë dhe personel ushtarak.

Raporti, i bazuar në intervista dhe fokus grupe, si dhe në përgjigjet anonime të anketës, nuk përpiqet të përcaktojë sasinë e shkallës së ngacmimit seksual në program, por ofron disa rrëfime të sinqerta.

“Çdo grua që njihja atje ishte sulmuar apo ngacmuar”, tha një e intervistuar.

Raporti thekson McMurdo, një stacion i madh kërkimor që strehon më shumë se 1 mijë njerëz gjatë pikut të tij të verës, si epiqendër, por vë në dukje se çështjet e ngacmimit seksual janë identifikuar në të gjitha stacionet e Antarktidës në SHBA, duke përfshirë Amundsen-Scott në Polin e Jugut.

“Ne jemi ende duke punuar për të kuptuar se si arritëm në këtë pikë dhe si mund të ecim përpara”, i tha revistës Science Roberta Marinelli, e cila drejton Zyrën e Programeve Polare të NSF-së.

Në vitin 2013, NSF-ja miratoi Kodin Polar të Sjelljes, i cili shprehimisht ndalon “abuzimin fizik ose verbal të çdo personi, duke përfshirë, por pa u kufizuar në, ngacmimin, ndjekjen, bullizmin ose përndjekjen e çdo lloji”. Pasojat e shkeljeve mund të përfshijnë largimin nga stacioni i Antarktidës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore