Lajme

Studimet në Bachelor dhe Master pa pagesë nga 1 tetori


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njoftoi se nga 1 tetori i këtij vitit nuk do të ketë më pagesa për nivelin Bachelor dhe Master në universitetet publike.

Kjo nuk vlen për të gjithë, por vetëm për studentët e vitit akademik 2021-2022.

“Nga një tetori i këtij viti duke filluar nga viti akademik 2021/2022, arsimi i lartë në Kosovë do të jetë pa pagesë për të gjithë ata që dëshirojnë të studiojnë për nivelin Bachelor dhe Master ndërsa ata të Doktoratës do të kenë lehtësime të veçanta”, ka thënë Kurti në një konferencë për media me Ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci.

Kurti, po ashtu bëri të ditur se nga vendimi i Qeverisë do të përfitojnë të gjitha kategoritë.

“Besojmë që në këtë formë nxisim interesimin për studime të larta duke përmirësuar nivelin e përgjithshëm arsimor të popullsisë sonë dhe duke kontribuar në zhvillimin e kapitalit njerëzor që është parakusht për zhvillim ekonomik e progres shoqëror”.

“Nga ky vendim do të përfitojnë të gjitha kategoritë e shoqërisë. Do të përfitojnë edhe studentët e vendeve të tjera e sidomos të atyre të rajonit që do të trajtohen si të gjithë studentët e tjerë”, ka thënë shefi i Qeverisë.

Nga ana tjetër, Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka thënë se studimet pa pagesë kanë qenë një nga zotimet e para.

“Studentët lirohen nga pagesa e tarifave me rastin e regjistrimit për herën e parë dhe po shmangim diskriminimin për shkak të pa barazisë sociale”.

Ndërsa ka treguar edhe për koston e buxhetit të Kosovës.

“Lirimi nga pagesa do t’i kushtojë buxhetit të Kosovës 1.7 milionë euro për një vit, për shtatë universitetet publike”, ka thënë Nagavci.

“Në hyrje në fuqi shfuqizohet udhëzimi administrativ i mëparshëm. Në lidhje me shumën e bursave do të vlejnë të njëjta vlera dhe ne kemi hapur thirrje edhe për 1 mijë bursa për vajzat, kemi ofruar mbështetje për studentët të cilët studiojnë në vendet e ndryshme jashtë Kosovës. Do të vazhdojë edhe për vitin e ardhshëm akademik”.

Nagavci ka treguar se ka qenë rekomandimi i IKSHPK-së, që fillimi i vitit të ri shkollor të pezullohet deri më 26 shtator. Janë gjithsej 18 ditë të humbura të fillimit të vitit të ri shkollor.

Ndërsa ka shtuar se të hënën është mbledhja e Task Forcës në kuadër të ministrisë ku do të diskutohet edhe për çështjen e kompensimit të këtyre ditëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore