Lajme

Studentja kazake për Albanian Post: Gjithçka filloi si një demonstratë e rregullt – njerëzit filluan të çmendeshin e të plaçkisnin


Studentja nga Kazakistani, Aiya Began, e cila gjendet në kryeqytet, Nur Sulltan – ish-Astana – ka rrëfyer për Albanian Post se “gjithçka filloi me një demonstratë të rregullt, njerëzit filluan të çmendeshin dhe të plaçkisnin”.

Ndjesitë e studentes përgjatë ditëve të fundit, kanë qenë të lidhura me vështirësitë e komunikimit apo me pamjet e tmerrshme të viktimave që kanë qarkulluar nëpër rrjete sociale.

Por, fillimisht, ajo sjell në kujtesë vitin 2019, kur shpërtheu zanafilla e protestave që, sipas saj, ka lidhje të tërthortë me situatën e fundit.

“Më 23 mars 2019, Kassym-Jomart Tokayev, presidenti i dytë nënshkroi një dekret për riemërtimin e kryeqytetit pa pëlqimin e popullit”, tregon fillimisht Began.

Kassym-Jomart Tokayev

Një nga shkaqet kryesore, nënvizon ajo, pse u ngrit i gjithë Kazakistani, ishte sepse 10 vite më parë u zhvillua një demonstratë në perëndim të vendit në qytetin Zhanaozen.

Sipas të dhënave zyrtare, aty u vranë 16 persona.

Aiya sqaron se kazakët ishin në dijeni që në vendngjarje kishte më shumë se 200 njerëz dhe e gjitha ishte me dekret të ish-presidentit.

Duke iu kthyer situatës së tanishme, ajo shton se më 2 janar demonstrata e parë filloi në Atyrau.

Demonstrata në Atyrau
Zhanaozen

Pas kësaj, thotë Began, ata filluan të demonstrojnë në Zhanaozen.

Për studenten kazake, kaq mjaftoi para se të gjitha qytetet të fillonin të dilnin në mbështetje të Zhanaozen-it.

E pyetur për përballjen me forcat speciale kazake dhe me trupat ruse, Began ravijëzon se e gjitha kjo “është shumë e tmerrshme”.

“Ata do të përballen me njerëzit e tyre, gjithçka përsëritet si në Bjellorusi”, deklaron më tej studentja.

Shembulli, sipas saj, lidhet me fillimin e një lufte civile.

Protesta në Zhanaozen

Kjo, nëse gjatë kësaj kohe “njerëzit nuk janë vrarë ende të gjithë”.

Komunikimi disa-orësh, për shkak të problemeve me internetin, kishte një shpjegim.

“Kështu bëjnë gjithmonë. Çdo protestë shteti bllokon internetin”, shtoi Began.

Në përmbyllje të bashkëbisedimit, ajo theksoi se i gjithë kombi i Kazakistanit kërkon vetëm një gjë – largimin nga qeveria të ish-presidentit Nursultan Nazarbayev dhe familjes së tij.

“Për ne, presidenti i dytë Tokayev nuk luan një rol të veçantë, sepse ne nuk e zgjodhëm atë, ai u vendos nga ish-presidenti ynë”, tha në përmbyllje Aiya Began.

Nursultan Nazarbayev
Bilanci

Gati 8 mijë njerëz janë arrestuar dhe dhjetëra vdiqën në të gjithë Kazakistanin javën e kaluar.

Kjo, pas një goditjeje nga protestat antiqeveritare dhe valëve të trazirave të dhunshme që autoritetet i kanë lidhur me terrorizmin.

Rreth 7 mijë e 939 persona u arrestuan nga policia pas protestave të dhunshme javën e kaluar, tha të hënën ministria e Brendshme e Kazakistanit.

Zyrtarët qeveritarë u thanë mediave lokale se të paktën 44 njerëz vdiqën gjatë trazirave, sipas BBC-së.

Një deklaratë e mëparshme, ku thuhej se më shumë se 164 njerëz kishin vdekur, u tërhoq.

Që nga e hëna, agjencia e kundërzbulimit dhe antiterrorizmit e Kazakistanit tha se situata është “stabilizuar dhe është nën kontroll”, sipas Associated Press.

Qasja në internet thuhet se është rikthyer në Almaty, qyteti më i madh i vendit, pasi një ndërprerje mbarëkombëtare filloi të mërkurën.

Zyrtarët – të cilët autorizuan zbatimin e ligjit për të hapur zjarr ndaj protestuesve “pa paralajmërim” – kritikuan mbulimin e mediave ndërkombëtare të trazirave.

Ata thanë se grupet terroriste të trajnuara nga jashtë ishin përgjegjës për nxitjen e dhunës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore