Jetesë & Stil

Studentët nuk janë të përgatitur për tregun e punës


Të sapo dalë nga auditorët e universiteteve dhe të gatshëm për t’u punësuar, studentët gjenden të papërgatitur për tregun e punës.

Ne një intervistë për Albanian Post, përgjegjësja e njërit prej institucioneve bankare në kryeqytet, e cila nuk dëshiron të identifikohet, shprehet e zhgënjyer me dijet që studentët përvetësojnë në përfundim të shkollës.

“Kandidatët që unë intervistoj janë student të Ekonomisë, Financës, Biznesit. Duhet theksuar që ka një mungesë njohurish në lidhje me cfarë i pret në tregun e punës. Kemi pasur mundësinë të intervistojmë student ekselent, të cilët kanë pasur vështirësi në praktikë”, shprehet ajo.

Në të vërtetë pas 12 vjetësh arsim të përgjithshëm dhe tre ose pesë vjet në universitet, një student nuk ka njohuri mjaftueshëm për t’u punësuar menjëherë.

Këtu evidentohet qartë hendeku midis njohurive në universitet me kërkesat e kompanive. Si nevojë emergjente paraqitet afrimi dhe rifreskimi i kurrikulave me nevojat e tregut. Megjithatë dhe ky kalim, si proces është i vështirë.

“Nuk ka ende një bashkëpunim të mirëfilltë midis universiteteve dhe kompanive punëdhënëse, ku të dyja bashkë të kenë si rezultat një kurrikul bashkëkohore. E si rrjedhojë e gjitha kjo të jetë në përputhje me tregun e punës vendas”, thekson për Albanian Post.

Sipas një studimi të realizuar nga kompania globale e arsimit të lartë Quacquarelli Symonds (QS), e cila ka anketuar mijëra punëdhënës dhe studentët e ardhshëm në mbarë botën ka shqyrtuar marrëdhëniet midis aftësive të diplomuara dhe pritjeve të punëdhënësit. Nga ky studim rezulton se pesë janë aftësitë më të kërkuara: aftësia për të zgjidhur probleme, puna në ekip, komunikimi, përshtatshmëria dhe aftësitë ndërpersonale.

A kanë studentët ambicie ndaj vetes?

Një tjetër problematikë është dëshira e studentëve për tu rritur profesionalisht. Ata priren të shkojnë drejt rrugëve më të thjeshta por që sigurojnë më shumë të ardhura.

“Gjithashtu vihet në dukje dhe zhgënjimi i tyre i parë, në lidhje me pritshmëritë mbi pagat sidomos me të rinjtë e sotëm. Në një kohë ku marrja e njohurive dhe rritja e ekspertizës në profesion duhet të jetë  motivuesi i tyre kryesor (lidhur me moshën që kanë). Ne shohim cdo ditë e më shumë të rinj që zgjedhin punë më pak sfiduese në pjesën profesionale por që kanë përfitime afatshkurtra më të larta”, konfirmon përgjegjësja e institucionit./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore