Lajme

Stërvitja ushtarake e NATO-s “Platinum Wolf 23” nis në Serbi


Ilustrim

Në bazën ushtarake në jug të Serbisë ka filluar të enjten stërvitja taktike ndërkombëtare “Platinum Wolf 23”, në të cilën po marrin pjesë anëtarë të Forcave të Armatosura të Serbisë dhe Forca të Armatosura nga nëntë shtete të tjera të Aleancës Veri-Atlantike (NATO).

Stërvitja e organizuar nga Ushtria e Serbisë dhe Komanda Evropiane e Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të mbahet deri më 27 qershor në poligonin “Borovac”, në bazën ushtarake afër Bujanocit, transmeton gazeta serbe “Danas”.

Qëllimi i stërvitjes, siç njoftoi Ministria e Mbrojtjes, është përmirësimi i ndërveprimit dhe mirëkuptimit të ndërsjellë të ushtrisë serbe me vendet partnere gjatë ekzekutimit të operacioneve për mbështetjen e paqes në një mjedis shumëkombësh.

Në dy javët e ardhshme, rreth 600 oficerë, nënoficerë dhe ushtarë nga Bosnja-Hercegovina, Britania e Madhe, Greqia, Italia, Hungaria, Rumania, SHBA-të, Maqedonia e Veriut, Sllovenia dhe Serbia do të praktikojnë teknikat dhe procedurat që zbatohen kur përfshihen në operacione paqeje.

Ndryshe, ambasada e Shteteve të Bashkuara në Beograd ka thënë se Serbia me pjesëmarrjen në stërvitjen ushtarake “Platinum Wolf”, ku do të marrin pjesë edhe vendet anëtare të NATO-s, “ka zgjedhur Perëndimin”.

“Serbia ka bërë një zgjedhje për të qenë pjesë e Perëndimit, dhe kjo përfshin integrimin e mëtejshëm me strukturat e sigurisë euroatlantike dhe ushtritë partnere”, ka deklaruar zëdhënësi i ambasadës amerikane në Beograd.

“Dhe sa më shumë të praktikojmë së bashku, aq më efektivë do të jemi në arritjen e qëllimit të përbashkët, paqen dhe stabilitetin rajonal dhe ruajtjen e Evropës në tërësi, të lirë dhe në paqe”, kanë thënë nga ambasada amerikane.

Kujtojmë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë përjashtuar Kosovën nga stërvitjet ushtarake ndërkombëtare të udhëhequra nga NATO-ja “Defender Europe 23”, duke e cilësuar këtë si masën e parë ndëshkuese ndaj Kosovës për shkak të moszbatimit të kërkesave të bashkësisë ndërkombëtare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore