Lajme

Steinmeier uron Osmanin për 16 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe presidenti i Gjermanisë, Frank Walter Steinmeier.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar telegram urimi në 16 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, nga Presidenti i Gjermanisë, Frank Walter-Steinmeier, ku thuhet se Gjermania do të vazhdoj të mbesë partner i besueshëm.

“Që nga pavarësia, para 16 vjetësh Kosova ka shënuar progres të konsiderueshëm dhe ka tejkaluar me sukses sfida të mëdha. Përkushtimi juaj i qartë për vlerat demokratike, pikërisht edhe pas nisjes së luftës së agresionit rus kundër Ukrainës, e nënvizon vendin e Kosovës në bashkësinë e vlerave evropiane”, thuhet në letrën e publikuar nga Zyra e Presidencës.

Steinmerier, ka thënë se Kosova gjendet para detyrave të mëdha.

“Forcimi i sundimit të ligjit, sikurse edhe lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar mbeten thelbësore për ta forcuar më tej ekonominë dhe përshpejtuar përafrimin me Bashkimin Evropian. Progresi në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit është gjithashtu vendimtar për të ardhmen e Kosovës dhe mbarë Ballkanit Perëndimor”.

“Unë i gëzohem sukseseve të arritura rishtazi, si marrëveshja për njohjen e tabelave të automjeteve dhe zgjidhja e mosmarrëveshjes së energjisë”.

Tutje, janë theksuar marrëdhëniet mes shtetit të Kosovës dhe Gjermanisë.

“Gjermania do të mbetet një partner i besueshëm dhe i fuqishëm i Kosovës edhe në të ardhmen dhe do ta mbështes vendin Tuaj me aq sa mundet në hapat e tjerë drejt një të ardhme paqësore, evropiane”.

Osmani, ka pranuar telegram urimi në 16 vjetorin e Pavarësisë edhe nga Mbreti i Mbretërisë së Bashkuar, Charles III.

Në letrën e dërguar Osmanit, mbreti Charles, ka uruar popullin e Kosovës me rastin e Pavarësisë së Kosovës, ndërsa ka vlerësuar lidhjen mes Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar.

Në urimin një faqesh, edhe presidenti i Shteteve Biden ndër të tjera ka kërkuar që liderët kosovarë të përmbushin të gjitha obligimet në kuadër të dialogut, duke përfshirë të gjitha marrëveshjet e kaluara të arritura ndër vite në procesin e dialogut të lehtësuar nga Bashkimit Evropian.

“Ne gjithashtu vazhdojmë të mbështesim përpjekjet e Dialogut të lehtësuar nga BE për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit me Serbinë – një hap i rëndësishëm drejt njohjes së ndërsjellë eventuale”.

Biden në letrën e dërguar Osmani për nder të pavarësisë së Kosovës ndër të tjera ka potencuar se SHBA-të mbështesin fuqishëm Kosovën multietnike dhe integrimin e saj në institucionet evropian dhe euroatlantiike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore