Lajme

Stavileci: Vetëm ambasadori Berishaj mund të përgënjeshtrojë dyshimet e ngritura rreth tij


Blerand Stavileci, PDK

Nuk ka njeri tjetër përpos ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, që do të mund ta përgënjeshtronte Qeverinë për dyshimet e ngritura ndaj tij, nga mediumi TV Planet në Slloveni, ka thënë Blerand Stavileci, anëtar i Partisë Demokratike të Kosovës.

“Mendoj që janë ndërtuar disa standarde të këqija. Standarde të këqija edhe për punën, transparencën dhe llogaridhënien e një Qeverie po edhe për mënyrën se si arsyetohen të themi gjërat dhe veprimet e pa arsyetueshme. Nuk ka njeri tjetër përveç ambasadorit i cili do të mund t’i përgënjeshtronte të themi dyshimet të cilat kanë ngritur dhe ato nuk janë ngritur nga ne, fillimisht janë ngritur nga një medium slloven, pra i besueshëm i cili nuk ka pasur të bëjë asgjë me Kosovën dhe krizën energjetike në Kosovë”, tha ai.

Tutje Stavileci për EO, ka thënë për Berishajn, se është personazhi i këtij mega skandali të përmasave rajonale.

“Tani a është apo nuk është rastësi që ne kemi kaluar nëpër një krizë të thellë energjetike me aq shumë pasoja të papërballueshme për xhepin e qytetarëve të vendit tonë me shumë telashe dhe shumë rëndesa. Edhe ashtu të mbledhura nga të gjitha këto kriza nëpër të cilat ka kaluar qytetari i vendi tonë, atëherë pra ka plasur edhe një skandal i cili na ka bërë të mendojmë që aty ka pasur mundësi edhe të keqpërdorimeve”.

“Gjëra të cilat janë dokumentuar e të cilat në këtë rast asnjëherë nuk janë demantuar nga vetë personi i cili ka qenë krye personazhi i këtij mega skandali të përmasave rajonale. E në anën tjetër pra standardi më i keq i mundshëm ka qenë ai kur krerët e shtetit tonë sikurse ndodhi edhe në disa raste të tjera me disa gabime, shkelje ligjesh dhe sjellje të tjera jo të mira jo të hijshme, kundërvajtje dhe të kësaj natyre të ministrave të kësaj Qeverie, kur eprorët e tyre thonë që ne u besojmë pra në këtë rast ministrit apo ambasadorit siç ishte rasti i këtij skandali”.

“Nuk ka pasur asnjë demantim, nuk ka pasur asnjë zhvillim, nuk ka pasur asnjë raportim të mirëfilltë për atë se çfarë ka ndodhur dhe nëse ne e shohim komplet fotografinë e kësaj krize të këtyre të bëmave të këqija, të këtij dështimi menaxherial dhe të Qeverisjes atëherë pra edhe më shumë vërtetohen dyshimet tona se në këtë mes ka pasur edhe keqpërdorime, abuzime me mjetet e qytetarëve të vendit tonë”.

“Mendoj që krerët e shtetit dhe në përgjithësi Qeveria do të duhej përkundrazi ta ndërtonin një standard të ri, jo vetëm që nuk e kanë ndërtuar një standard të ri po mendoj që e kanë degraduar edhe imazhin e shtetit tonë përveç asaj që nuk i’u kanë ndihmuar qytetarëve në masën dhe vlerën që ata e meritojnë”.

Media malazeze, Press.co.me, ka publikuar këtë të hënë një lajm se ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishajt, i janë bllokuar llogaritë bankare në Mal të Zi për shkak të një borxhi, që siç shkruan kjo media, është 30 mijë e 14 euro.

Press shkruan se bllokimi i xhirollogarive po ndodhë pas skandalit të ambasadorit në Slloveni, ku mediat atje raportuan se është i përfshirë në shpëlarje parash.

Në anën tjetër, po këtë të hënë, portali Gazeta Express ka publikuar një lajm, ku thuhet se kanë komunikuar me Prokurorinë Speciale të Malit të Zi dhe se ata kanë njoftuar se pas hetimeve u ka rezultuar se nuk ka prova për ta ndjekur penalisht Martin Berishajn.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore