Lajme

Stano: Ekipi Menaxhues mund të shpërbëhet vetëm pasi të aprovohet statuti i Asociacionit – Kosova bëri shkelje


Peter Stano

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka deklaruar në konferencë për media, se ekipi menaxhues i përbërë nga serbët e Kosovës mund të shpërbëhet vetëm pasi të aprovohet drafti final për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, prandaj vendimi i Qeverisë së Kosovës për t’i liruar katër anëtarët nga detyra, përbën shkelje.

“Ekipi menaxhues duhet të qëndrojë derisa statuti i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe të adaptohet/aprovohet”, deklaroi Stano.

“Çfarë ka ndodhur të martën është fillimi i procesit me draftin e prezantuar dhe prezantimi nuk ishte fundi i procesit. Prandaj, vendimi për të shpërberë ekipin menaxhues shkelë marrëveshjet e dialogut dhe çdo vendim që merret duhet të arrihet në pajtim në kornizën e dialogut”.

Ai sqaroi edhe faktin se delegacioni i Ekipit Menaxhues, “ishte një delegacion në vete” dhe se “ata janë ftuar për t’iu bashkuar takimit në një pikë, specifikisht për prezantimin e draftit dhe s’ishin pjesë e asnjërës palë”.

Ndërsa, e bëri të qartë edhe se “sa i përket Ekipit Menaxhues ai është formuar në linjë me marrëveshjen e arritur në Bruksel”.

Pra, “propozohet nga Serbia dhe zyrtarisht më pas emërohet nga Kosova”.

Në takimin e radhës së nivelit të lartë në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiç, miratuan deklaratën për Personat e Pagjetur dhe u njoftuan me draft-statutin e parë për Asociacionin e Komunave me Shumicë serbe, e cila u prezantua nga Ekipi Menaxhues për hartimin e draft-statutit të këtij mekanizmi i udhëhequr nga deputetja serbe, Danijela Vujiçiç.

Pas takimi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se drafti i statutit i prezantuar të martën në Bruksel nga ekipi në fjalë është i papranueshëm, meqë është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës pasi prezanton qartësisht një dëshirë për Republika Srpska në Kosovë.

Mu për këtë arsye i pari i qeverisë ka thënë se Ekipi Menaxhues është dekomisionuar, pas propozimit të draftstatutit.

Prandaj, një ditë më pas, saktësisht më 3 maj ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, njoftoi se ka liruar nga detyra anëtarët e Ekipit Menaxhues, të thirrur për hartimin e draft-statutit të Asociacionit.

Krasniqi tha, se vendimi i tij bazohet në Marrëveshjet e Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore