Shqipëria

“Spitali Memorial i Fierit, një histori suksesi”


Ishte janar i vitit 2021 kur presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, deklaroi se në prill Shqipëria do të kishte një spital bashkëkohor.

Ndërtuar në periferi të qytetit të Fierit, ai mori formë më 21 prill.

Sot, spitali bazuar në shifrat e publikuar nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Ogerta Manastirliu, tregon se vetëm në tremujorin e funksionimit të tij ka pasur mijëra shërbime.

Spitali ka ofruar mbi 3 mijë shërbime ambulatorike për 10 mijë qytetarë.

Drejtoresha e Spitalit Memorial, Rudina Degjoni, në një prononcim për Albanian Post, tregon se si këto shifra i përgjigjen skepticizmit të fillimit mbi ndërtimin e tij.

“Vetë treguesit në shifra tregojnë se ndërtimi i Memorialit është një sukses në sistemin spitalor dhe domosdoshmëri për banorët e jugut”, shprehet Degjoni.

Sipas saj, ky spital ka rritur ndjeshëm interesin e banorëve të vendosur në qarkun e Fierit, Vlorës dhe Gjirokastrës, pasi aksesojnë shërbimet e nivelit terciar pranë vendbanimit të tyre.

Ky spital funksionon në bazë të sistemit të referimit dhe është 100% falas.

Drejtoresha thotë se, merita e këtyre shifrave është ajo e ekipit të koordinuar dhe prezenca e stafit turk.

“Sigurisht që dhe prezenca e ekipit turk, eksperienca dhe standardi i punës së tyre ka bërë që pacientët e Jugut të rrisin kërkesat për të marrë shërbim në spitalin Memorial”, thotë Degjoni për AP-në.

Ndërtimi i Spitalit

Ndihma turke nuk do të ndalej vetëm  në ndërtimin e spitalit, por edhe me mbështetje për pajisjet dhe stafin.

Aty ofrojnë shërbimet 50 doktorë nga Turqia, dhe 331 personal nga Shqipëria. Nga ana tjetër, ky spital do të vlejë edhe për “transferimin e dijeve dhe teknologjisë” midis mjekëve dhe ekspertëve turq me ato shqiptarë.

Investimi i shtoi sistemit shëndetësor shqiptar jo vetëm një qendër shërbimesh mjekësore, por edhe një qendër ekselence dhe dijeje. Spitali ka 150 shtretër, 6 shërbime poliklinike, 6 salla operacioni dhe me një personel mjekësor mbi 400 vetë.

Ai ofron shërbimin e urgjencës, shërbimin e ortopedisë, mjekësisë interne, kardiologjisë, kirurgjisë dhe neurokirurgjisë, kirurgjisë kardio-vaskulare, neurologjisë, pneumologjisë dhe sëmundjeve infektive.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore