Shqipëria

Spiropali: Kosova është dëshmia e djeshme e lirisë së nesërme të Ukrainës së sotme


Ministrja e Shtetit për Marëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, ka zgjedhur që në këtë ditë të shënuar për historinë e Kosovës të përcjellë një urim, por jo vetëm.

Spiropali e nis shkrimin e saj me Gëzuar për të shkuar më pas në rrugën që solli edhe shpalljen e Pavarësisë.

Ajo thekson se në këtë pikë takimi ne historinë, një blatim mirënjohjeje të pafundme ka për gjithë ata breza shqiptarësh që bënë histori në një kalvar të pashembullt sakrificash për të ngritur piedestalin e Lirisë.

“Nga Rugovët tek Jasharët, nga Demaçët tek Thaçët, për të kulmuar tek epopeja e lavdishme e UÇK-së dhe gjithë popullit të Kosovës, që luftoi për paqen dhe dëshmoi se paqja është më e fortë dhe më e vlefshme se çdo luftë gjakatare”.

Spiropali thekson se vetë Kosova ishte guri i fundit i dominosë ballkanike që e ndau gadishullin e trazuar nga e shkuara “dramatike drejt rrugëtimit evropian”.

Kjo, duke i dhënë shans e shpresë për bashkëjetesë popujve të djepit të demokracisë, për t’i dhënë fund të qenit “fuçi baruti” aty ku urrejtja dhe konflikti ata popuj i ndante me kufij gjaku.

Ajo krahason situatën në Ukrainë me të shkuarën në Kosovë, për të cilën thotë se: Kosova është dëshmia e djeshme e lirisë së nesërme të Ukrainës së sotme.

Për të, Kosova u bë dëshmia e luftës së parë morale në Evropën e pasluftës në emër të të drejtës së një populli për të vendosur fatin e tij.

“Kosova dëshmoi gjithashtu se nacionalfashizmi është një besim i vdekur, dhe se diktatorët, herët a vonë, gjithmonë përfundojnë rrangalla arkaike në bodrumet e historisë”.

Ajo nuk ka harruar të falënderojë edhe aletët, sidomos presidentin Klinton e kryeministrin Blair.

Më tej, Spiropali ravijëzon se ky është shekulli i shqiptarëve dhe ditët më të mira për shqiptarët janë ende në pritje për të ardhur.

“Gëzuar motra e vëllezër, gëzuar Kosovë, Gjakovë, Gjilan, Drenicë, Pejë, Istog, Podujevë, Prizren, Mitrovicë, e çdo pëllëmbë e Kosovës Evropiane. Gëzuar pavarësinë Prishtinë, Kryeqyteti i sotëm, i kahershëm dhe i përjetshëm i Kosovës në pritje të bashkimit pa kufij”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore