Lajme

Specialja kërkon të shpallen fajtorë Gucati dhe Haradinaj, të martën deklarata mbyllëse nga mbrojta


Në deklaratën përmbyllëse këtë të hënë të 14 marsit, Prokurori Matthew Holing nga Zyra e Prokurorit Special ka kërkuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës, që ish-krerët e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të shpallen fajtor për vepra penale që lidhen me pengimin e administrimit të drejtësisë.

“Ata donin të pengonin procedurat, donin të dhunonin sekretin e procedurave dhe donin të frikësonin dhe të hakmerreshin kundër atyre që kanë bashkëpunuar me këtë gjykatë dhe kjo ka ndodhur dhe ZPS e ka provuar këtë lidhur me çdo element të të gjitha pikave të aktakuzës, dosjet  e palës mbrojtëse nuk dëshmojnë asgjë tjetër, ato nuk dëshmojnë dhe nuk mund ta dëshmojnë”, tha Holing.

Sipas tij, është të akuzuarit besojnë që hetimi i duhur i luftës së Kosovës do të qonte në përgjymtimin vetëm të keqbërësve serb por siç tha ai, jo edhe të UÇK-së.

Ndërsa të martën e 15 marsit në ora 15:00 pritet të vazhdohet me dhënien e deklaratës përmbyllëse nga mbrojtja.

Sipas aktakuzës ndaj Gucatit dhe Haradinaj, thuhet se së paku nga 7 deri më 25 shtator të vitit 2020, me anë të tre konferencave për shtyp dhe ngjarjeve të tjera të transmetuara, si dhe përmes përhapjes së mëtejshme, kishin zbuluar pa autorizim informacione të mbrojtura sipas ligjit të Dhomave të Specializuara, përfshirë detajet identifikuese të dëshmitarëve të caktuar të mundshëm.

Aktakuza gjithashtu thotë se Gucati e Haradinaj kanë bërë akuza dhe vërejtje nënçmuese kundër dëshmitarëve potencialë dhe në mënyrë të përsëritur shprehën synimin e tyre për të minuar Dhomat e Specializuara.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore