Lajme

Spanjë: Spiuni “Pegasus” ka ndërhyrë edhe në telefonat e Kryeministrit dhe ministrit të Mbrojtjes


Autoritetet spanjolle kanë thënë se telefonat celularë të kryeministrit Pedro Sanchez dhe ministres së Mbrojtjes, Margarita Robles, janë përgjuar duke përdorur spiunin “spyware Pegasus” në një ndërhyrje “të paligjshme dhe të jashtme”.

“Nuk është një supozim, ato janë fakte të një graviteti të madh”, tha ministri i Presidencës, Felix Bolanos, duke konfirmuar lajmin të hënën.

Sipas tij, “ne jemi absolutisht të sigurt se ishte një sulm i jashtëm sepse në Spanjë, në një demokraci si e jona, të gjitha ndërhyrjet e tilla kryhen nga organet zyrtare dhe me autorizim gjyqësor”, tha ai.

“Në këtë rast nuk ka mbizotëruar asnjëra nga dy rrethanat, prandaj nuk dyshojmë se ka qenë një ndërhyrje e jashtme. Ne duam që Ministria e Drejtësisë të hetojë”, shtoi Bolanos.

Ai nuk tha nëse autoritetet spanjolle kishin ende ndonjë indikacion nga e kishte origjinën sulmi apo nëse një vend tjetër qëndron pas tij.

Bolanos tha se telefoni i Sanchez ishte përgjuar në maj të vitit 2021 dhe i Robles në qershor të të njëjtit vit.

Ndërsa theksoi se nuk ka asnjë provë që ka pasur përgjime të tjera pas atyre datave.

“Spyware Pegasus” depërton në heshtje telefonat celularë për të nxjerrë të dhëna ose për të aktivizuar një aparat fotografik ose mikrofon për të spiunuar pronarët e tyre.

Grupi NSO me bazë në Izrael, i cili zotëron “Pegasus”, pretendon se software u shitet vetëm agjencive qeveritare për të synuar kriminelët dhe terroristët, me dritën jeshile të autoriteteve izraelite.

Shkelja e privatësisë

Kompania është kritikuar nga grupet globale të të drejtave për shkeljen e privatësisë së përdoruesve në mbarë botën dhe ajo përballet me padi nga firmat e mëdha të teknologjisë si “Apple” dhe “Microsoft”.

Njoftimi i së hënës pasoi presionin intensiv mbi qeverinë e koalicionit të majtë të Spanjës për t’u shpjeguar, pasi grupi kanadez i të drejtave digjitale “Citizen Lab” tha se më shumë se 60 persona të lidhur me lëvizjen separatiste katalane kishin qenë objektiva të “spyware-it Pegasus”.

Pas akuzave për spiunim ndaj anëtarëve të lëvizjes separatiste katalane, aleati kryesor i qeverisë së pakicës në parlament, partia e majtë pro-pavarësisë e Katalonjës ERC tha se nuk do të mbështesë qeverinë derisa Madridi të marrë masa për të rivendosur besimin.

Mbikëqyrja e mbrojtjes së të dhënave të Bashkimit Evropian ka bërë thirrje për ndalimin e “Pegasus”-it mbi akuzat se është abuzuar nga qeveritë e klientëve për të spiunuar aktivistët e të drejtave, gazetarët dhe politikanët.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore