Lajme

Kompania e spyware-ve NSO Group bashkon “forcat” me Realmode Labs


Kompania izraelite e spyware-ve NSO po operon me një firmë konsulence të quajtur Realmode Labs.

E përditshmja izraelite “Haaretz” ka zbuluar se punonjësit e kompanisë izraelite Realmode, janë ish-anëtarë të njësive të teknologjisë IDF.

Ata janë ekspertë në gjetjen e dobësive të sigurisë në shërbimet kompjuterike.

Realmode Labs u krijua në fillim të vitit të kaluar.

Logoja e kompanisë izraelite Realmode Labs

Ajo është e regjistruar në Petah Tikva, por selinë qendrore e ka në Tel Aviv.

Në krye të kompanisë është Ariel Tempelhof, i diplomuar në programin Psagot, programi më prestigjioz i IDF-së për trajnimin e ushtarëve në teknologji.

Realmode fillimisht funksiononte si një shërbim këshillimi. Organizatat e mëdha e përdornin për gjetjen e shkeljeve në sistemet e tyre të sigurisë.

Aftësitë e Realmode, mund të hapin rrugë të reja për operacionet e NSO.

Kompania e spyware-ve NSO Group

NSO ka ekspertizë në depërtimin e sistemeve të Apple dhe Google dhe në hackerimin e telefonave celularë.

Vitet e fundit ajo ka ofruar shërbime shtesë, si sistemet e të dhënave, të cilat do t’u mundësonin klientëve të saj të analizonin sasi të mëdha informacioni të marrë nga telefonat e hackuar.

Në fillim të këtij viti, NSO dhe Realmode nënshkruan një marrëveshje.

Zyrtarisht, Realmode mbetet i pavarur, por mban shumë pak operacione të veta dhe punonjësit e tij aktualisht janë të angazhuar në një projekt të fshehtë për NSO.

NSO kohët e fundit hasi në telashe kur Departamenti Amerikan i Tregtisë e vendosi atë në listën e zezë, duke pohuar se operacionet e NSO ishin të dëmshme për interesat amerikane.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore