Shqipëria

SPAK dërgon Fran Tucin për gjykim, nën akuzën e shpërdorimit të detyrës


Prokuroria e Posaçme SPAK ka dërguar për gjykim ish-kryebashkiakun e Fushë Arrëzit, Fran Tuci, i cili akuzohet për shpërdorim detyre dhe shkatërrim prone.

Sipas akuzës së ngritur nga SPAK, Tuci, në bashkëpunim me shtetasin Ndoc Marku, me veprime dhe mosveprime të kundërligjshme të cilat përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës, kanë sjellë si pasojë të drejtpërdrejtë dëmtimin e rëndë (vlerësuar në 234,007,500 lekë) të pasurisë së llojit “fond pyjor” dhe terrenit përkatës, regjistruar në zyrën kadastrale në emër të Bashkisë Fushë Arrëz.

Ndërsa i pandehuri Durim Margjekaj, në cilësinë e administratorit të firmës “Legjendari” sh.p.k. me dashje të plotë dhe të drejtpërdrejtë ka kryer punime ndërtimi infrastrukture pa lejen përkatëse duke sjellë pasoja të rënda në pasurinë e llojit “fond pyjor” në pronësi të bashkisë Fushë Arrëz.

Për gjykim janë dërguar sipas njoftimit edhe Marku e Margjekaj. I pari për akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe i dyti për akuzën e ndërtimit të paligjshëm.

Disa ditë më parë ndërkohë, Tuci, ka përfunduar në spital pas problemeve shëndetësore të shfaqura.

Ai ndodhej në paraburgimin e Reçit në Shkodër gjatë kësaj kohe, pasi akuzohet nga Prokuroria e Posaçme SPAK për shpërdorim detyre dhe shkatërrim prone.

Gjykata e Posaçme ka lënë më 14 korrik të pandryshuar masën e sigurisë për ish-kryetarin socialist të bashkisë se Fushe Arrëzit, Fran Tuci.

Tuci u arrestua me urdhër të SPAK-ut me akuzën se i ka shkaktuar shtetit një dëm prej 234 milionë lekë me tenderin e një rruge.

Dhe për këtë çështje ra në pranga edhe administratori i njësisë Iballë në Pukë teksa u shpall në kërkim pronari i kompanisë që kreu punimet pa leje, pasi ka shkatërruar zonën e pyllëzuar.

Sipas SPAK, Tuci akuzohet si person i dyshuar për kryerjen e veprave penale të “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim.

Gjithashtu është vendosur masa “arrest shtëpie” për personin nën hetim N. M., si person i dyshuar për kryerjen e veprave penale të “Shpërdorimi i detyrës”.

Ndërkaq, caktimin e masës së sigurimit “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” për personin nën hetim D.M., si person i dyshuar për kryerjen e figurës së veprës penale të “Shkatërrimi i pronës”.

E gjitha ka nisur kur SPAK ka regjistruar procedimin penal me objekt hetimi procedurën e ndjekur për hapjen e një segmenti të ri rrugor në territorin administrativ të Bashkisë Fushë-Arrëz.

Pas kryerjes së veprimeveka rezultuar se në territorin nën juridiksionin administrativ të Bashkisë, në kundërshtim me të gjithë kuadrin ligjor në fuqi, është hapur një segment i ri rrugor rreth 1.8 km dhe gjerësi rreth 5 m, i cili ka cenuar një sipërfaqe të konsiderueshme të fondit pyjor në pronësi të kësaj Bashkie si edhe ka dëmtuar rëndë terrenin që i përket këtij fondi pyjor.

Dëmi i përllogaritur nga IKMT Shkodër, pas inspektimit të kryer në terren, kap vlerën e konsiderueshme të 234 milionë lekëve, i cili përfshin dëmtimin e terrenit si edhe shpyllëzimin e sipërfaqes se regjistruar pranë ASHK, Drejtoria Vendore Pukë, si pasuri të llojit “Pyll” në pronësi të Bashkisë.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar e provuar se ish-titullari i Bashkisë Fushë Arrëz, në bashkëpunim më ish-Administratorin e Njësisë Administrative Iballë, shtetasin N. M., me veprime dhe mosveprime në kundërshtim me ligjin kanë lejuar hapjen e një segmenti të ri rrugor auto rural, të pamiratuar më parë nga autoritetet kompetente.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore