Lajme

SpaceX lëshon ‘Starship’ në hapësirë, shpërthen në ajër


Kompania amerikane e aviacionit hapësinor, SpaceX, ka zhvilluar testin e parë real të anijes kozmike më të madhe në histori, “Starship”, ku brenda një suksesi historik të ngritjes së saj në atmosferë, ka pasur edhe një dështim, për shkak të shpërthimit të raketës pa e përmbyllur plotësisht misionin.

Ashtu si ishte parashikuar, Starship u ngrit deri në 40 kilometra prej sipërfaqes së Tokës, në më pak se tre minuta.

Mirëpo, kur erdhi koha e ndarjes nga raketa ndihmëse, misioni nuk u arrit dhe një shpërthim spektakolar ngjau rreth 29 kilometra mbi sipërfaqen e Tokës, thuajse katër minuta brenda misionit.

Pavarësisht këtij fakti, i gjithë misioni në tërësi mund të quhet një sukses për kompaninë e Elon Musk, e cila qëllim kryesor kishte të mos i shpërthente anija kozmike në platformë.

Me këtë mision, ashtu si ka deklaruar edhe më parë vetë Musk, është kërkuar që të mësohet nga gabimet e shkuara dhe të merren masat që në të ardhmen, ato të mos përsëriten.

Nga kompania SpaceX ndërkaq, një sërë publikimesh në Twitter janë kryer pas lëshimit dhe shpërthimit të Starship, ku shpjegohet se përtej aspektit të gjithë eksperiencës, vetë anija kozmike pati disa shkëputje të pazakonta, nga e cila ekipet do të mundet të mbledhin të dhëna dhe të përmirësohen.

Ngjarja në tërësi është quajtur si sukses nga ata.

Ndërsa, rëndësia e misionit Starship, është historik, për mbi themelet e tij, pritet të hidhen hapat drejt misioneve hënore, si edhe atyre të kolonizimit të Marsit në të ardhmen.

Ajo çfarë mbetet për t’u theksuar, është edhe fakti se në misionet e mëparshme nga SpaceX, si rasti i Falcon 9 apo Falcon Heavy, ka pasur dështime të tilla si ai i Starship, derisa është arritur një perfeksion në lëshimin e anijeve hapësinore.

Mbi të gjitha, kur bie fjala për lëshimin e satelitëve të rrjetit të ndërlidhjes “Starlink”.

Nëse ky perfeksion arrihet edhe me anijen “Starship”, atëherë do të jetë shumë më e lehtë për Musk edhe të dërgojë satelitë të rinj në hapësirë, për të plotësuar rrjetin Starlink.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore