Lajme

Sot rifillon mësimi në shkolla, sindikata e arsimit kërkon vaksina për mësimdhënësit


Institucionet parashkollore dhe nxënësit nga klasa e parë deri në të pestën nga sot do të rifillojnë mësimin me prani fizike nëpër shkollat e Kosovës duke i respektuar masat kundër COVID-19, ndërsa mësimin online do të vazhdojnë ta mbajnë nxënësit nga klasa e gjashtë e tutje përfshi edhe nxënësit e shkollave të mesme.

I gjithë sistemi i arsimit parauniversitar në vend do të fillojë nesër mësimin për periudhën e tretë të vitit shkollor 2020/2021. Ministria e Arsimit, ka bërë të ditur se nga data 12 deri më 16 prill, mësimi do të organizohet me praninë fizike për fëmijët e institucioneve parashkollore si dhe për klasat 1 deri 5. Ndërsa, për klasat 6 deri 9 si dhe 10 deri 12, mësimi do të mbahet me platformat online, përcjell RTK.

Nga ana tjetër, Këshilli i Prindërve ka kërkuar nga Qeveria e vendit, që mësimi të fillojë me praninë fizike të nxënësve në të gjitha shkollat e arsimit parauniversitar. Kryetari i Këshillit, Ymret Reshiti, për Radio Kosovën ka thënë se mësimi nga distanca në Kosovë është i dështuar.

Po ashtu edhe Rinor Qehaja, drejtor në Institutin për Studime të Arsimit “EdGuard” ka thënë se mundësia që mësimi në shkolla të mos prek askënd, është vështirë e besueshme. Mirëpo, sipas tij, mundësia e dëmeve tek fëmijët është e madhe, transmeton RTK.

Nga ana tjetër, Sindikata e Arsimit e ka mbështetur vendimin e Qeverisë. Kjo sindikatë ka kërkuar që mësimdhënësit të jenë prioritet për vaksinat kundër korona virusit, kërkesë të cilën ia kanë bërë edhe ministrit Vitia gjatë takimit me të.

“Qeveria të mos ta lënë në grupin e dytë por ta vënë në primar vaksinimin edhe në takimin që kishim me ministrin Vitia e kemi hapur këtë çështje dhe ministri Vitia ka thënë se po pret një ardhje të një kontingjenti në emër të donacionit që janë të pranueshëm për Kosovën dhe na ka premtuar se do të bëjë gjithë angazhimet nëse i lejojnë mundësitë dhe kapacitetet te numri i vaksinave që pas të moshuarve siç parashihet me manual ti jepet përparësi punëtorëve në sektorin e arsimit” ka thënë kryetari i sindikatës Rrahman Jashari për EO.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore