Shqipëria

Soreca takohet me Xhaçkën dhe Çuçin: BE-ja falënderon Shqipërinë për strehimin e afganëve


“Unë përsërita falënderimet e Bashkimit Evropian për gatishmërinë e Shqipërisë për të siguruar strehim të përkohshëm për afganët në nevojë”.

Kështu u shpreh ambasadori evropian në Shqipëri Luigi Soreca, të mërkurën e 25 gushtit pas një takimi me ministren për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçkën dhe ministrin e Brendshëm, Bledi Çuçi.

Sipas Soreca-s ata zhvilluan diskutime të frytshme për përgatitjen e strehimit të afganëve në Shqipëri.

“Të dy ministrat më informuan për përgatitjet e vazhdueshme për pritjen e afganëve të pambrojtur”, shkruan Soreca në median sociale Twitter.

Më tej Ambasadori theksoi faktin së diskutuan për çështjen e statusit të tyre ligjor, kontrolleve të sigurisë dhe lirisë së lëvizjes.

“Populli afgan meriton të jetojë në siguri, mbrojtje dhe dinjitet”, përfundon postimin Soreca.

Më herët Këshilli i Ministrave miratoi vendimin për ndihmën ndaj refugjatëve afganë në Shqipëri, ku do të ofrohet strehim dhe mbrojtje për ta deri në një periudhë një-vjeçare.

Gjithashtu, do të krijohet një strukturë e tipit Task-Forcë, për menaxhimin e fluksit të kërkesave për mbrojtje ndërkombëtare nga shtetasit afganë dhe personat pa shtetësi me vendqëndrim të përkohshëm apo përhershëm të Republikës Islamike të Afganistanit.

Prej një javë, Shqipëria është në pritje të një numri ende të pacaktuar të refugjatëve afganë. Në tërësi, siç ka deklaruar më parë kryeministri Edi Rama, mund të jenë deri në 3 mijë refugjatë. Ata do të pranohen për qëndrim të përkohshëm në Tiranë, Durrës dhe Berat.

Mbrojtja për ta, do të fillojë nga çasti i hyrjes në Shqipëri.

Po ashtu, në rast se autoriteti përgjegjës për azilin dhe refugjatët kërkon kufizim të lëvizjes së tyre, një vlerësim i tillë mund të bëhet nga Qeveria.

Ndërkohë Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, do të kryesojë këtë Task-Forcë.

Gjashtë Ministritë e tjera të përfshira, do të jenë ajo e Brendshme, Mbrojtjes, Financave dhe Ekonomisë, Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe ajo e Turizmit dhe Mjedisit.

Por, cilat do të jenë detyrat e Task-Forcës?

Detyra kryesore është ajo e negocimit me partnerët ndërkombëtarë për çështjet që lidhen me qëndrimin e afganëve në Shqipëri. Hartimi i planit të veprimit për menaxhimin e fluksit të refugjatëve, është një tjetër detyrë.

Struktura do të ketë përgjegjësi në koordinimin e pritjes dhe akomodimit të afganëve. Po ashtu, do të evidentojë nevojat emergjente për t’i paraprirë punës me ndryshimet e mundshme në kuadrin ligjor.

Analizimi i kërkesave buxhetore shtesë për funksionim, do të jetë detyra tjetër e Task-Forcës.

Periudha e veprimtarisë mbetet me afat deri në përfundimin e situatës.

Vendimi ka hyrë në fuqi menjëherë pasi është botuar në Fletoren Zyrtare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore