Lajme

Sondazhi: Maqedonasit e konsiderojnë Serbinë si miken më të madhe kurse Kosova renditet e gjashta në listë


Ilustrim

Qytetarët e Maqedonisë së Veriut besojnë se Serbia është miku më i madh i tyre, ndërsa kërcënimi më i madh konsiderohet të jetë Bullgaria, sipas një sondazhi të publikuar të mërkurën nga Qendra për Strategji Evropiane “Eurothink” në Shkup.

Në vendin e gjashtë në listën e vendeve më mike renditet Kosova me 3.1 për qind, pasuar nga NATO-ja me 2.9 për qind. Në vendin e tetë renditet Rusia me 2.5 për qind, e ndjekur nga Shqipëria me 1.6 për qind, ndërsa Bullgaria është në vendin e trembëdhjetë me 0.5 për qind pas Kroacisë me 0.6 përqind dhe Kinës me 0.5 përqind.

Në pyetjen “Cili shtet apo organizatë ndërkombëtare është miku më i madh i Maqedonisë”, 37 për qind janë përgjigjur se është Serbia, 11,4 për qind Shtetet e Bashkuara të Amerikës, 8,5 për qind Turqia, 8,1 për qind Bashkimi Evropian, dhe 4 për qind Gjermania

Në pyetjen se cili shtet apo organizatë ndërkombëtare është kërcënimi më i madh për Maqedoninë, 27,6 për qind e të anketuarve janë përgjigjur se është Bullgaria. Pas saj vjen Rusia me 4 për qind, Shqipëria me 1.3 për qind, Kosova me 1.2 për qind dhe Serbia e SHBA-të me 1.1 për qind.

Dimitar Nikolovski, drejtor ekzekutiv në “Eurothink” në një deklaratë para gazetarëve në Shkup sqaroi se Bullgaria në dy-tre vitet e fundit konsiderohet armiku më i madh i Maqedonisë së Veriut dhe se ky trend po vazhdon të rritet.

“Nëse në vitin 2021 Bullgaria ishte numër një me 23 për qind të qytetarëve që e konsideronin armikun më të madh, në vitin 2022 kjo përqindje është 27,6 për qind. Për dallim prej tyre, Serbia tradicionalisht konsiderohet si mikja më e madhe e vendit me 37 për qind”, tha Nikolovski.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore