Lajme

S’ndalet Gërvalla, nga Italia niset drejt Japonisë: Do shpalosë “progresin e Kosovës” në sundim e ligjit dhe ekonomisë


Nga Italia ku ka qëndruar për një vizitë disa ditore, ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla është nisur drejt Japonisë për vizitë zyrtare dhe një takim bilateral me homologen Yoko Kamikawa.

“Gjatë këtyre takimeve ministrja Gërvalla do të shpalosë progresin e Republikës së Kosovës në demokratizim, sundim të ligjit, zhvillim ekonomik dhe mundësi të investimeve strategjike në Kosovë”, thuhet në njoftimin e MPJ-së për media.

Po ashtu në njoftim theksohet se vizita e kryediplomates kosovare në Japoni është e një rëndësie të veçantë në kuadër të fuqizimit të marrëdhënieve bilaterale me shtetin japonez, si në rrugën e Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, ashtu edhe në fushën e ekonomisë, arsimit dhe digjitalizimit.

Gjatë vizitës në Itali, Gërvalla ka vizituar komunat arbëreshe në rajonin e Sicilisë.

Ndërkaq ceremonia e së dielës së Pashkëve në Horën e Arbëreshëvet u kurorëzua me sfilatën e kostumeve të jashtëzakonshme arbëreshe.

Po ashtu, gjatë qëndrimit në komunat arbëreshe të Kalabrisë, Gërvalla vizitoi edhe monumente të trashëgimisë kulturore duke u shprehur konsideratën e lartë ndaj kontributit të gjeneratave të tëra të cilat kanë ruajtur dhe përcjellë me breza identitetin, gjuhën dhe traditën unike arbëreshe.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore