Aplikacione

Snap-i luan me rregullat e privatësisë së Apple-it


Kompania Snap ka eksploruar mënyrat se si mund të anashkalojë rregullat e reja të privatësisë për iPhone, me një lëvizje që mund të shkaktojë “zemërimin” e Apple-it.

E përditshmja, Financial Times, zbulon se Apple-i pritet që gjatë javës së ardhshme të prezantojë rregullat e veta të privatësisë duke ndaluar aplikacionet të mbledhin të dhëna nga përdoruesit e iPhone-it pa marrë më parë miratimin e tyre.

Mirëpo, për reklamuesit dhe zhvilluesit e aplikacioneve kjo lëvizje e kompanisë është një goditje miliarda dollarëshe në industrinë e reklamava në telefon. Kjo pasi shumica e përdoruesve të iPhone-it mund të mos pranojnë të gjurmohen.

Zhvilluesit e aplikacioneve, përfshirë edhe ata kinezë, kanë qenë në kërkim të zgjidhjeve të mundshme për rregullat e reja të privatësisë së Apple-it.

Snap, kompania që zotëron aplikacionin e mesazheve të quajtur Snapchat, deri më tani rezulton të jetë kompania e parë e madhe amerikane e teknologjisë që ka dalë me plane se si të shmangë këto rregulla.

Në bazë të disa dokumenteve të brendshme të siguruara nga Financial Times, Snap dëshironte të grumbullonte të dhëna nga kompanitë, të cilat analizojnë nëse njerëzit u janë përgjigjur fushatave reklamuese duke përfshirë adresat e IP-së, etiketat që identifikojnë pajisjet e lidhura me internet.

Kompania shpresonte t’i merrte ato të dhëna dhe ndërkohë t’i referohej informacionit që ajo mbart te përdoruesit për t’i identifikuar dhe gjurmuar. Një teknikë kjo e quajtur ndryshe “përputhje e mundshme”.

I kontaktuar nga Financial Times, Snap-i ka pranuar se ka ekzekutuar një program të përputhjes së mundshme për disa muaj. Kjo për të provuar ndikimin e politikave të reja të Apple-it.

Por, ka pranuar gjithashtu se kishte ndërmend ta ndërpriste programin pasi Apple-i ka prezantuar ndryshimet.

“Ne mbështesim dhe do të ndjekim udhëzimet e ardhshme të Apple-it sepse gjithmonë kemi besuar se reklamat duhet të respektojnë privatësinë e konsumatorëve”, ka deklaruar Snap-i.

Kompania ka vazhduar se “ne aktualisht jemi duke hartuar një sërë zgjidhjesh të përqendruara te privatësia, si ato afatshkurtra dhe ato afatgjata, për të siguruar dhënien e ofertave më të mira për partnerët, dhe përvojën e parë të privatësisë për komunitetin tonë”.

Ndër të tjera, Snap-i ka pohuar se gjurmimi i përdoruesve individualë nuk ishte i lejuar, por në mënyrë të përbashkët me shumë kompani të teknologjisë së reklamave, mbledhja e të dhënave për grupet e përdoruesve nuk do të shkelte rregullat.

Apple-i nuk ka komentuar lidhur me këtë, por ka vënë në dukje politikat e saj që u tregojnë zhvilluesve se nuk mund të përdorin softwarte analitik në aplikacion për të mbledhur të dhëna dhe për t’i dërguar ato në pajisje të palëve të treta.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore