Lajme

Smogu në Delhi: Shkollat dhe kolegjet mbyllen, ndërsa ndotja përkeqësohet


Autoritetet në kryeqytetin indian, Delhi kanë mbyllur të gjitha shkollat ​​dhe kolegjet, mes niveleve të përkeqësuara të ndotjes së ajrit.

Ndërtimet janë ndaluar gjithashtu deri më 21 nëntor, me një përjashtim për projektet e transportit dhe ato të mbrojtjes.

Vetëm pesë nga 11 termocentralet me qymyr në qytet janë lejuar të funksionojnë.

Një mjegull helmuese ka mbytur Delhi-n që nga festivali i Diwali-t.

Nivelet e PM2.5 – grimca të vogla që mund të bllokojnë mushkëritë e njerëzve – në Delhi janë shumë më të larta se udhëzimet e sigurisë të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).

Disa pjesë të qytetit shënuan shifra afër ose më të larta se 400 të martën.

Një shifër midis zeros dhe 50 konsiderohet “e mirë”, dhe midis 51 dhe 100 është “e kënaqshme”, sipas indeksit të cilësisë së ajrit ose AQI.

Disa shkolla u mbyllën që javën e kaluar, ndërsa qeveria e Delhi tha se po mendonte një bllokim, pasi retë e dendura të smogut përfshinë qytetin.

Një përzierje faktorësh si emetimet e automjeteve dhe ato industriale, pluhuri dhe moti e bëjnë Delhi-n kryeqytetin më të ndotur në botë.

Ajri bëhet veçanërisht toksik në muajt e dimrit pasi fermerët në shtetet fqinje djegin kashtën e të korrave.

Fishekzjarrët gjatë festivalit të Diwali-t, që ndodh në të njëjtën kohë, vetëm sa përkeqësojnë cilësinë e ajrit.

Shpejtësia e ulët e erës luan gjithashtu një rol pasi bllokon ndotësit në atmosferën e poshtme.

Këtë vit, ndotja është bërë aq e tmerrshme saqë një paralajmërim i rreptë erdhi nga Gjykata e Lartë e Indisë. Ajo udhëzoi qeveritë shtetërore dhe federale të marrin masa “të menjëhershme dhe emergjente” për të trajtuar problemin.

Masat e tjera të shpallura nga paneli përfshijnë ndalimin e hyrjes së kamionëve deri më 21 nëntor-përveç atyre që transportojnë mallra thelbësore-në Delhi dhe shtetet fqinje përfshirë Uttar Pradesh, Punjab, Haryana dhe Rajasthan.

Paneli gjithashtu udhëzoi shtetet që të lejojnë 50% të punonjësve të tyre të punojnë nga shtëpia.

Problemi i ndotjes së Indisë nuk është i kufizuar vetëm në Delhi.

Qytetet indiane dominojnë në mënyrë rutinore renditjen globale të ndotjes dhe ajri i keq vret më shumë se një milion njerëz çdo vit, sipas një raporti të grupit kërkimor amerikan, Instituti i Politikave të Energjisë në Universitetin e Çikagos (EPIC).

Ai shtoi se India veriore arrin “nivele ndotjeje 10 herë më të këqija se ato që gjenden kudo tjetër në botë” dhe me kalimin e kohës, këto nivele të larta janë zgjeruar edhe në pjesë të tjera të vendit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore