Sport

Skriniar refuzon PSG-në, do ta vazhdojë kontratën me Inter-in


Mbrojtësi i Inter-it, Milan Skriniar, pritet ta vazhdojë kontratën me klubin nga Milano në javën e ardhshme.

Sllovaku ishte i lidhur me një transferim në Paris Saint-Germain, megjithatë mediat italiane raportojnë se ai tashmë i ka refuzuar francezët.

Sipas “FootMercato” kontrata mes Skriniar dhe Inter-it do të nënshkruhet para Kupës së Botës, ku palët tashmë kanë arritur marrëveshje për një pagë prej rreth 7 milionë euro në sezon.

Kontrata aktuale e 27-vjeçarit mbaron në verën e ardhshme dhe drejtuesit e PSG-së shpresonin ta transferonin qendërmbrojtësin në afatin kalimtar të dimrit me një shumë të vogël parash, apo në verë me parametra zero.

Megjithatë, kjo lëvizje që ishte shumë pranë në verën e kaluar, duket se nuk do të ndodhë.

Kujtojmë që Skriniar është pjesë e klubit zikaltër që nga vera e vitit 2017, kur u transferua nga Sampdoria për shumën e 34 milionë eurove.

Që nga ai moment, sllovaku është shndërruar në një nga mbrojtësti më të mirë në Serie A dhe jo vetëm.

Skriniar deri më tani numëron 234 ndeshje në të gjitha garat me fanellën e Inter-it, prej të cilave ka shënuar 11 gola.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore