Euro 2020

Skoci vs. Çeki – Fakte interesante


Kampionati Evropian, “Euro 2020” do të vazhdojë këtë të hënë me ndeshjen e dytë të grupit D, mes Skocisë dhe Republikës Çeke.

Ndeshja do të fillojë nga ora 15:00 në stadiumin Hampden Park të Glasgou, ku do të jenë të pranishëm rreth 12 mijë tifozë, apo 25 për qind e kapacitetit të stadiumit.

Në total këto dy skuadra janë përballur gjashtë herë në ndeshje garuese mes tyre, Republika Çeke prinë me tri fitore, kundrejt dy të Skocisë dhe një ndeshje ka përfunduar në barazim.

Ndeshjet e fundit mes tyre, kanë qenë në vitin e kaluar, në kuadër të Ligës së Kombeve, ku në të dyja rastet fitoi Skocia.

Për Skocinë, kjo është hera e tretë që merr pjesë në Kampionat Evropian. Më parë ata kanë marrë pjesë në Euro 1992 dhe 1996.

Ndërsa për Çekinë, kjo është hera e 10-të që merr pjesë në Kampionat Evropian. Më parë kanë marrë pjesë në Euro 1960, 1976, 1980, 1996, 2000, 2004, 2008, 2012 dhe 2016.

Skocia ka në përbërje, një nga skuadrat më të mira në historinë e tyre, vlera e të cilëve, sipas “transfermarkt” është 270 milionë euro.

Lojtari më i vlefshëm i skocezëve është anësori i Liverpool-it Andrew Robertson, vlera e të cilit shkon në 65 milionë euro.

Pas tij, vijnë mesfushori i Manchester United, Scott McTominay me një vlerë prej 35 milionë euro, pastaj mesfushori i Aston Villa-s, John McGinn, vlera e të cilit shkon deri në 30 milionë euro.

Derisa, vlera e skuadrës së Republikës Çeke, sipas “transfermarkt” është rreth 190 milionë euro.

Futbollisti më i shtrenjtë i skuadrës së Çekisë, është mesfushori i West Ham United, Tomas Soucek, vlera e të cilit është rreth 40 milionë euro.

Pas tij vjen sulmuesi i Bayer Leverkusen, Patrik Schick, me një vlerë mbi 20 milionë euro, ndërsa treshen e mbyll, futbollisti i Veronës, Antonin Barak, i cili kushton 15 milion euro.

Kujtojmë që aktualisht Anglia prinë në grupin D me tre pikë të marra ndaj Kroacisë, të cilën e mposhtën me rezultat minimal 1:0.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore