Sport

Skerma, sporti i parë pa rusë në Lojërat Olimpike të Parisit


(Getty)

Konfederata Evropiane e Skermës (EFC) thotë se asnjë sportist nga Rusia apo Bjellorusia nuk do të marrë pjesë në Lojërat Olimpike të Parisit pasi ata që kualifikohen nën një flamur neutral nuk hynë në kualifikimet evropiane, sipas “Agence France-Presse”.

“Fatkeqësisht nuk ka atletë rusë apo bjellorusë”, u tha gazetarëve të martën presidenti i EFC, Giorgio Scarso.

“Data e regjistrimit ka kaluar. Arsyeja e mungesës së tyre nuk dihet, nuk kishte asnjë deklaratë zyrtare për ta shpjeguar atë”, shtoi ai.

Vitin e kaluar, rusët hodhën poshtë “formatin e propozuar” të përcaktuar nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC) për t’u rikthyer në garat ndërkombëtare, duke rritur mundësinë që ata të bojkotojnë ngjarjet kualifikuese olimpike.

Presidenti i Komitetit Olimpik Rus, Stanislav Pozdniakov, një kampion olimpik katër herë dhe ish-president i EFC-së, kishte kërcënuar me bojkot pasi disa atletë u ndaluan të konkurronin.

“Për sa i përket skermës në veçanti, unë kam diskutuar në mënyrë të përsëritur me anëtarët e ekipit kombëtar për formatin e propozuar të ‘kthimit’”, tha Pozdniakov në Telegram në lidhje me propozimin e IOC.

“Dhe mund të them se asnjëri prej tyre nuk e ka konsideruar dhe po e shqyrtojnë mundësinë e pjesëmarrjes në turne ndërkombëtarë brenda kufizimeve ekzistuese”, theksoi ai.

IOC u kishte ofruar rusëve mundësinë për të garuar në Paris si atletë neutralë pa flamurin ose himnin kombëtar për sa kohë që ata nuk e mbështesin publikisht luftën kundër Ukrainës dhe nuk ishin të punësuar nga ushtria ose shërbimet e sigurisë.

“Asnjë skermë rus nuk do të shkojë në këto Lojëra Olimpike”, tha kreu i federatës ruse të skermës, Ilgar Mamedov për “Sports.ru” këtë javë.

“Ne e kemi bërë të qartë qëndrimin tonë parimor, ne nuk do ta ndajmë ekipin tonë në ata që kënaqin Perëndimin dhe ata që, sipas mendimit të tyre, janë ‘rusët e këqij’”, përfundoi ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore