Sport

Skenarët “ende” të mundshëm për deportimin e Djokoviç-it


Novak Djokoviç mund të deportohet dhe të ndalohet nga Australia për tre vjet, pavarësisht se e ka fituar betejën në gjykatë.

Kjo, pasi Ministria australiane për Emigracionin thuhet se po shqyrton anulimin e vizës për Novak Djokoviç.

Më herët, gjyqtari Anthony Kelly i Gjykatës Federale të Qarkut urdhëroi lirimin e menjëhershëm të Gjokoviçit nga paraburgimi i emigracionit.

Ministri australian, Alex Hawke, mund të përdorë fuqinë e tij personale, sipas Aktit të Migracionit për të anuluar sërish të drejtën e Djokoviç-it për të qëndruar në Australi.

Gjykatësi Kelly tha se vendimi për anulimin e vizës ishte “i paarsyeshëm”.

Hawke thuhet se ka katër orë për të vendosur nëse do ta përdorë apo jo pushtetin e tij.

Nëse e bën këtë, Djokoviç mund të nisë një tjetër sfidë, siç bëri me anulimin fillestar.

Skenari

Fuqia e anulimit, sipas seksionit 133C(3), është shumë e gjerë dhe më e vështirë për t’u argumentuar kundër.

Nëse Hawke përdor këtë fuqi, Djokoviç mund të ndalohet të rihyjë në Australi për tre vjet.

Por një ndalim trevjeçar i hyrjes mund të hiqet edhe nëse Hawke anulon vizën e lojtarit.

Ligji i Migracionit lejon që një person, të cilit i është anuluar viza, t’i nënshtrohet një përjashtimi trevjeçar.

Por kjo periudhë do të konsiderohet si pjesë e çdo aplikimi të ri për vizë dhe mund të hiqet.

Fuqia i lejon Ministrit të anulojë një vizë nëse beson se personi paraqet rrezik për “shëndetin, sigurinë ose rendin e mirë të komunitetit australian ose një segmenti të komunitetit australian”.

Ndërtimi i ngjarjes

34-vjeçari Djokoviç mbahej në hotelin “Park” që nga e enjtja, pasi viza i ishte anuluar me të mbërritur në Australi.

Tenisti më i mirë në botë për meshkuj e apeloi vendimin, duke organizuar përballjen e së hënës.

Familja e Djokoviç ka denoncuar trajtimin e tij.

Zyrtarët serbë dhe australianë shkëmbyen kritika kundrejt palëve.

Avokati i Djokoviç-it, Nick Wood, argumentoi se tenisti i kishte siguruar qeverisë australiane të gjithë dokumentacionin e kërkuar.

Gjykatësi Kelly dukej se ishte dakord, duke vënë në dukje se përjashtimi mjekësor i Djokoviç-it ishte miratuar nga dy panele të pavarura specialistësh.

Gjykatësi tha se ishte i shqetësuar nga trajtimi i Djokoviç-it në aeroport.

Zyrtarët e Forcave Kufitare Australiane kishin “refuzuar” një marrëveshje për të lejuar tenistin të fliste me avokatët e tij dhe organizatorët e turneut.

Përplasje diplomatike

Të mërkurën e 5 janarit, zyrtarët e kufirit thanë se Djokoviç “dështoi të sigurojë provat e duhura” për hyrjen pas mbërritjes nga Dubai.

Tenisti serb po qëndron në një hotel në periferi të Melburn-it.

Ky i fundit përdoret për paraburgimin e imigracionit.

Kryeministri i Australisë, Scott Morrison, mohoi se Djokoviç po veçohej dhe tha se askush nuk ishte mbi rregullat e vendit.

Por, ai shtoi se qëndrimi i Djokoviç-it për vaksinimin kishte tërhequr vëmendjen.

Kryeministri i Australisë, Scott Morrison

Morrison tha se kontraktimi i COVID-19 në gjashtë muajt e fundit nuk ishte ndër kriteret federale.

Saga bëri që presidenti serb Aleksandër Vuçiç të thoshte se Djokoviç ishte viktimë e “ngacmimit” dhe se “e gjithë Serbia” e mbështet atë.

Morrison mohoi se anulimi i vizës ishte për shkak të “ndonjë pozicioni të veçantë në lidhje me Serbinë”.

Kreu i qeverisë australiane e përshkroi shtetin ballkanas si “një mik të mirë të Australisë”.

Babai i lojtarit, Srdjan Djokoviç, u shpreh se “kjo nuk është vetëm një luftë për Novak-un, por një luftë për të gjithë botën”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore