Lajme

“Skandaloze dhe e Tmerrshme” – Pas ndaljes së shtesave për rrezikshmëri, policëve të Kosovës s’u është paguar as paga e ndërrimit të natës për muajin shtator


Foto: Albanian Post.

Përveç shtesave për rrezikshmëri që tashmë i janë hequr Policisë së Kosovës, muaji shtator rezultoi me diçka edhe më skandaloze brenda këtij institucioni.

Gjatë shtatorit një pjese të zyrtarëve policorë nuk u dolën pagesat as për ndërrimin e natës.

Ndërrimi i natës që për policinë nis në ora 23:00 dhe përfundon në 07:00, paguhet rreth 10 euro për një natë, por duke folur në kushte anonimiteti pjesëtarë të policisë i kanë thënë Albanian Post se s’i kanë pranuar paratë fare.

“S’kemi akoma informacione të sakta se përse nuk u ekzekutuan pagesat”

Se pagesa për ndërrimin e natës nuk është bërë e ka konfirmuar për AP edhe kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri.

Zeqiri tregoi se për këtë u informua nga policët që s’i pranuat shtesat e shiftit të natës.

“Jam munduar të gjejë kohë të takohem me Drejtorin e Financave, sepse edhe unë e kam pasur këtë informacion. Jo të gjithëve, disave nuk u është paguar. S’jam i informuar nëse ka ndonjë problem në sistem apo cili është problemi”.

Foto: Albanian Post.

I pyetur nëse raste të tilla ka pasur edhe në të kaluarën, ai sqaron se ka pasur ndonjë “gabim teknik apo defekt”, por nëse pagesa bëhet për disa, ndërsa për disa jo atëherë është “diskriminim”.

“Kur paguhet për një duhet të paguhet për të gjithë”.

Ish drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, në një bisedë për Albanian Post deklaron se në të kaluarën ka pasur kërkesa për të rritur pagesën për ndërrimin e natës, por s’ka pasur raste kur për ndërrimin e natës pagesat për pjesëtarët e Policisë s’janë ekzekutuar fare.

“Sa i përket pagesave të shtesave për ndërrimin e natës edhe në të kaluarën ka pasur disa ankesa për lartësinë e kësaj shtese, por s’ka ndodhur që këto shtesa të mos paguhen. Obligimet që i ka shteti ndaj Policisë së Kosovës, duhet t’i kryjë gjithsesi”.

“Së paku kur unë kam qenë përgjegjës i Policisë së Kosovës, një gjë e tillë s’ka ndodhur”, pohon Qalaj për Albanian Post.

Një rast të tillë ai e quan “të tmerrshëm” dhe “të papranueshëm”, duke kërkuar nga shoqëria që të reagojnë ndaj Qeverisë së Kosovës, në mënyrë që obligimet përgjegjëse që i kanë ndaj pjesëtareve të Policisë së Kosovës të përfundohen.

“Kjo është e tmerrshme, është e papranueshme dhe duhet ne si shoqëri të gjithë përfshirë edhe partitë politike edhe mediat të reagojnë në mënyrë që Qeveria t’i kryej gjithsesi obligimet që i ka ndaj Policisë së Kosovës dhe ta kenë parasysh punën e pagesës për shtesat për rrezikshmëri dhe për ndërrimin e natës”.

Foto: Policia e Kosovës.

Më 12 tetor në Kuvendin e Kosovës, do të ketë seancë të jashtëzakonshme dhe si pikë e rendit të ditës do të jetë “Shqyrtimi i Propozim-Rezolutës për mbështetjen urgjente financiare për Policinë e Kosovës”.

Kjo kërkesë për seancë të jashtëzakonshme është bërë nga kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, në emër të deputetëve nënshkrues.

Më 3 tetor, Sindikata e Policisë së Kosovës ka dorëzuar në Kuvend peticionin me 10 kërkesa.

Policia e Kosovës asnjëherë tjetër nuk ka qenë kaq e ekspozuar ndaj rrezikut, por është hera e parë tash e 15 vjet që shteti ka vendosur t’ua ndalë shtesat për rrezikshmëri në punë.

Që nga përfundimi i luftës së fundit, 20 zyrtarë të Policisë kanë humbur jetën në detyrë.

Rasti i parë është regjistruar në shtator të vitit 2001.

Së fundmi, një grup terrorist sulmuan Policinë e Kosovës në Banjë të Zveçanit më 24 shtator, duke lënë të vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

Me legjislacionin në fuqi, e drejta e kompensimit nga buxheti i shtetit u takon dy kategorive: familjarëve të zyrtarëve policorë që vdesin në detyrë dhe atyre në kryerje të detyrës.

Për herë të parë pas 15 vjetëve, policët mbetën pa shtesa për rrezikshmëri

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore