Shqipëria

S’ka më politikanë, veç ‘influencerë’…dhe tashmë podcast-e


Kur Edi Rama krijoi një llogari në median sociale Twitter në Mars të vitit 2011 – asokohe kryetar i Bashkisë Tiranë – nuk ka pse të mohohet që një nënqeshje iu formua të gjithëve dhe një figurë në kufijtë e përbuzjes u krijua, rreth atij, i cili do të ishte kryeministri i ardhshëm, për tre mandate, të cilat vijojnë ende.

Në fakt Rama nuk e ka fshehur ndonjëherë se modelin e ndjekur për këtë hap, e ka parë (dhe marrë), nga ish-presidenti shumë i suksesshëm amerikan, Barack Obama.

Faktikisht, në Albanian Post është publikuar në shkurt 2021 një analizë se si presidentët e fundit në SHBA, kanë qenë ata më aktivët në media sociale, duke ndjekur shembullin e Obamës.

Madje, në pasqyrimin e të dhënave nga Facebook, media më e shfrytëzuar sociale në botë dhe në Shqipëri, reflektohej qartësisht se si zgjedhjet e atij viti do të shkonin dhe ashtu ndodhi saktësisht.

Çdo vit që kalon, është një vit me investime më të larta në fushatat digjitale për kompanitë.

Dikur Rama avangard në Twitter, si Berisha novator me komunikimin publik direkt në Facebook, apo sot më tutje, me një Ramë sërish “top tier” për fushata digjitale në gjithë platformat, përfshi Instagram dhe Tik Tok.

Berisha, i rikthyer në frontin politik opozitar së fundmi, ndjekës i trendëve më rinore, në një moshë të thyer e karrierë të stërlodhur, për një politikan.

Jeta në Shqipëri është në fakt krejtësisht një shfaqje groteske vende-vende, edhe për politikën vetë.

Rehatia popullore me mungesë ndjeshmërie për çështjet sociale dhe jetësore, është në shuarje e lart.

Politikanët zor se krijojnë më atë që në anglisht njihet si “Buzz” (përfolje).

Vendin ia kanë marrë shfaqje si “Big Brother”, “Përputhen”, “Dancing with the Stars”.

Pra, bota s’është më e politikanëve qartaze dhe ata, nuk janë më “VIP”-at që ishin dikur.

Të paktën, nëse në lojë nuk fusin aftësitë e tyre argëtuese…

Mjafton shumë pak, për të kuptuar mendësinë e një popullate. Një kërkim i thjeshtë në median sociale YouTube, e tregon përsosmërisht çfarë shqiptarët duan.

Videot më të ndjekura janë nga emisionet e lartpërmendura. Nga Parlamenti, më të shikuarat mbeten batutat, replikat, zënkat, shpesh edhe harbutëritë e ligjvënësve.

Në Tik Tok, trendin e fundit të mediave sociale, kërkimet për Luiz Ejllin, tejkalojnë me dyfish ato për presidentin amerikan Joe Biden.

Nuk është e lehtë sot të jesh politikan, sepse për të qenë i tillë, duhet të jesh koncepti i sotëm i “influencerit”.

Ti nuk ekziston realisht, nëse në media sociale nuk je aktiv dhe kur e arrin pikun e aktivitetit, duhet të bësh diçka ndryshe.

Ajo diçka, dy liderët politikë, ndër më jetëgjatë në historinë moderne të Shqipërisë, po i vë përballë sërish, në një format ndryshe, në atë të podcast-it.

“Flasim”, e quan Edi Rama. “Jeta përtej politikës”, i përgjigjet një ditë pas me format tjetër, Berisha.

Dëgjim të këndshëm të politikanëve në vazhdim!

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore