Lajme

S’ka kuorum në mbledhjen e Kryesisë – Konjufca e Bogujevci marrin pjesë në takimin e Këshillit të Evropës


Shefja e grupit të Lëvizjes së Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila

Shefja e grupit të Lëvizjes së Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka bërë të ditur se mbledhja e kryesisë të hënën e 23 janarit, ka dështuar për shkak të mungesës së tre nënkryetarëve.

“Më duhet të ju informoj se sot nuk kishte kuorum për mbledhje të kryesisë. Arsyeja ishte mungesa e tre nënkryetarëve, në fakt Saranda Bogujevci ka udhëtuar për takim në Këshillin e Evropës, gjithashtu anëtari i kryesisë deputeti Enver Hoxhaj, nuk ishte prezent dhe natyrisht Lista Serbe nuk e ka përcaktuar anëtarin tjetër të Kuvendit”.

Në një konferencë për media, ajo ka thënë se kryeparlamentari Glauk Konjufca dhe nënkryetarja e parë e Kuvendit, Saranda Bogujevci, do të marrin pjesë në takimin e Këshillit të Evropës.

“Megjithatë sipas agjendës në këtë mbledhje, ishte e paraparë që të diskutohet për seancën tjetër që duhet të mbahet më 1 shkurt, arsyeja pse këtë javë nuk do të ketë seancë të rregullt është për shkak se edhe kryeparlamentari Glauk Konjufca edhe nënkryetarja e parë e Kuvendit Saranda Bogujevci do të jenë në Strasburg në takimin e Këshillit të Evropës”, ka thënë Kusari-Lila.

Sipas saj, “të mërkurën planifikohet në asamblenë parlamentare të Këshillit të Evropës, të debatohet për dialogun Kosovë-Serbi, prandaj është e rëndësishme që aty të jenë të pranishëm pjesëtarët e lartë të Kuvendit”.

Ndërsa, sqaroi se është javë e rregullt e Kuvendit të Kosovës dhe të gjitha Komisionet Parlamentare do të mblidhen.

Sipas shefi të grupit parlamentar nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri deputetët e pozitës “janë lodhur nga seanca e kaluar”, ku është diskutuar për Trust-in, prandaj edhe “kanë nevojë për pauzë”.

Shefi i grupit nga Partia Demokratike e Kosovës, Abelard Tahirit

“Pra, në seancën e kaluar janë lodhur aq shumë me gjasë saqë tashmë duhet ta bëjnë një pauzë disa ditëshe, derisa të arrijnë të mbledhin energjinë që të mblidhen sërish”.

Ai ka theksuar edhe vërejtjet që janë dhënë nga kryetari Konjufca, ndaj deputetëve të cilët po mungojnë në seanca.

“Ju e keni parë në vazhdimësi vërejtjet që janë dhënë edhe nga kryetari i Kuvendit për mungesën e deputetëve në seanca, ne si parti opozitare jemi treguar konstruktive gjatë gjithë periudhës. Pra, kemi qenë konstruktiv në votimin e të gjitha marrëveshjeve ndërkombëtare në përjashtim një marrëveshje që kemi qëndrim të kundërt ndaj mazhorancës”.

Nisma ligjore e iniciuar nga 21 mijë nënshkrime të qytetarëve të Kosovës për t’u mundësuar tërheqja e 30 për qind të parave nga trusti pensional ka takuar refuzimin e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, dhe nuk ka arritur të kalojë në lexim të pare në seancën e Kuvendit të Kosovës, më 19 janar.

Nga 97 deputetë që votuan për “Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Fondet Pensionale të Kosovës”, vetëm 42 kanë votuar pro, derisa 55 kundër dhe nuk ka abstenuar asnjëri.

Në sallë ishin gjithsejtë 101 deputetë, por katër prej tyre kanë refuzuar pjesëmarrjen në votim.

Pas një debati të gjatë me polemika të shumta, argumentin me vota e ka fituar pushteti, derisa deputetët e opozitës menjëherë pas votimit kanë lëshuar sallën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore