Lajme

Nuk kalon projektligji për Trustin, Vetëvendosje ishte kundër


Kuvendi i Kosoves

Nisma ligjore e iniciuar nga 21 mijë nënshkrime të qytetarëve të Kosovës për t’u mundësuar tërheqja e 30 për qind të parave nga trusti pensional ka takuar refuzimin e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe nuk ka arritur të kalojë në lexim të parë.

Nga 97 deputetë që votuan për “Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Fondet Pensionale të Kosovës”, vetëm 42 kanë votuar pro, derisa 55 kundër dhe nuk ka abstenuar asnjëri.

Në sallë ishin gjithsejtë 101 deputetë, por katër prej tyre kanë refuzuar pjesëmarrjen në votim.

Pas një debati të gjatë me polemika të shumta, argumentin me vota e ka fituar pushteti, derisa deputetët e opozitës menjëherë pas votimit kanë lëshuar sallën.

Opozita, Lidhja Demokratike e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë argumentuar në favor të nismës, duke pranuar se nuk është ideja më e mirë, por më e domosdoshmja në apatinë qeveritare që nuk po merr masa për t’iu përgjigjur krizës ekonomike me inflacion dyshifror e rritje çmimesh.

Në anën tjetër, deputetët e pushtetit kanë thënë se kjo ishte vetëm një nismë populiste nga opozita dhe se nuk ka target qytetarët e varfër, por ata të pasurit që kanë paga të majme e kanë grumbulluar kapital edhe në trust.

Një tjetër argument i Qeverisë, i prezantuar përmes Ministrit të Financave ishte se tërheqja e këtyre parave do ta dëmtonte Fondin Pensional mbase duke e falimentuar tërësisht atë, sepse bëhet fjalë për tërheqje që tejkalojnë mbi 100 milionë euro.

Ai madje ka krahasuar opozitën me Serbinë, duke thënë se edhe shteti serb dikur kishte për qëllim shkatërrimin e këtij fondi dhe se opozita tani po e do të njëjtën me mjete të tjera.

“Vërtet e pafalshme që edhe në këso çështjesh ta përziesh Serbinë”, i tha deputeti nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Driton Slemanaj, Muratit kur zhvilloi replikën me ministrin.

Kundër argument i opozitës në qëndrimin e Muratit ishte se vetëm vitin e kaluar për shkak të investimeve të gabuara Trusti ka humbur po këtë shumë, pra rreth 120 milionë euro dhe nuk është shkatërruar.

I vetmi nga deputetët që ka pasur një propozim ndryshe nga dy qëndrimet e ngurta të krahëve politikë ishte deputeti i Vetëvendosjes, Eman Rrahmani. Ai dha propozimin që të votohet në lexim të parë ky projektligj e në lexim të dytë të shtohen disa amandamente, si për shembull: ata që e tërheqin trustin ta kthejnë atë në një afat 10 vjeçar.

Ai është distancuar nga partia e tij dhe ka votuar pro, meqë duke e pranuar se nuk përbën ide të mirë, tha se mund të ketë persona që i kanë jetike këto para për shëndetin.

Kjo nuk është hera e parë që ky projektligj nuk kalon. I njëjti kishte ardhur edhe njëherë në formë të një propozimi nga deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu.

Në atë kohë i pranishëm gjatë diskutimeve në sallën e parlamentit pati qenë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kurti përveç se kishte thënë se është nismë e gabuar edhe e kishte përqeshur idenë.

Kryeministrin e kishte habitur se si një deputet që me profesion është fizioterapeut sjellë në Kuvend nisma ligjore që kanë të bëjnë me ekonominë.

Haxhiu edhe kësaj radhe ishte i përfshirë, tash jo si propozues, por si prezantuesi para deputetëve i nsimës së nënshkruar nga qytetarët.

Ai në prezantimin final para votimit u bëri lutje deputetëve duke iu kërkuar që të votojnë për qytetarët e të mos jenë partiak në përcaktimin e tyre dhe u premtoi se edhe ai nga opozita do të përkrahë nisma të qeverisë kur për qëllim kanë mirëqenien.

Për t’i thirrur ndjeshmërisë së deputetëve, Haxhiu lexoj edhe disa mesazhe nga qytetarët që i kishin kërkuar të avokojë në emrin e tyre për këtë ligj.

Në përfundim, lutjes së Haxhiut pozitivisht iu përgjigjën vetëm kolegët e tij në opozitë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore