Shqipëria

S’janë shqiptarët shqetësimi madhor i britanikëve – Intervistë me studiuesin e lartë në Observatorin e Migracionit, Peter William Walsh


Migrimi i parregullt është një sfidë globale dhe një mentalitet i Anglisë së Vogël i adoptuar për qëllime të ngushta politike, gjithmonë do të dështojë.

Ka qenë ky qëndrimi editorial i prestigjiozes “The Guardian” gjatë muajve të verës, pas çështjes së krijuar me numrin e shqiptarëve që kishin hyrë me varka në mënyrë ilegale në Mbretërinë e Bashkuar.

Ajo kërkonte që shqiptarët të mos bëheshin koka turku, por duket se thirrja ra në vesh të shurdhët.

Sot, kemi zyrtarët më të lartë britanikë, që janë akuzuar nga viktima të Holokaustit se po përdorin të njëjtën gjuhë si figurat naziste ndaj emigrantëve.

“Pushtim”, “gjeni shqiptarët”, “arrestoni shqiptarët”, janë vetëm disa nga frazat e përdorura nga as më pak e as më shumë se dy ministrat e rëndësishëm të Qeverisë britanike, Suella Braverman, ministre e Brendshme dhe ai i emigracionit, Robert Jenrick.

Por si po shihet situata nga qytetarët britanikë, a mbeten shqiptarët ilegalë shqetësimi i tyre kryesor?

Përgjigja është: JO.

Të paktën kështu ka konfirmuar për Albanian Post, Dr. Peter William Walsh, studiues i lartë në Observatorin e Migracionit dhe Pedagog i Departamentit në Studimet e Migracionit në Universitetin e Oksfordit.

“Ne po jetojmë në një kohë krize ekonomike dhe ka çështje edhe më të rëndësishme, por në debatin për emigrimin, situata e krijuar me shqiptarët zë vendin kryesor”.

Aq sa, në Parlamentin britanik vitin e kaluar u zhvillua një seancë e tërë, ku i kërkohej llogari ambasadorit shqiptar atje për numrin e lartë të qytetarëve nga vendi i tij që kishin hyrë ilegalisht.

Walsh është i mendimit se diferencimi i shqiptarëve nga kombësitë e tjera që udhëtojnë në të njëjtën mënyrë vjen pasi ka pasur një numër goxha të rritur të qytetarëve shqiptarë që iu drejtuan Anglisë me varkat e vogla.

Ai shprehet se në vitin 2021, në dijeninë e tij vetëm 800 shqiptarë arritën në këtë mënyrë në brigjet britanike, por vitin e kaluar kjo shifër arriti në 12 mijë.

Por sërish nuk është një justifikim për gjuhën e përdorur nga britanikët.

“Ajo që realisht po ndodh është se Qeveria britanike po shkëmben inteligjencë me qeverinë shqiptare. Dhe po e bëjnë këtë në bashkëpunim në disa operacione”.

Teksa bashkëpunimi vijon të fuqizohet dhe rritet e njëjta gjë po ndodh edhe me shifrat e aplikantëve për azil.

Studiuesi britanik shprehet se në 12 muajt deri në shtator 2022, 85% e shqiptarëve të mbërritur me varka të vogla – 7 mijë e 219 persona – paraqitën kërkesa për azil.

Dhe, në përgjithësi, 53% e pretendimeve nga shqiptarët pranohen.

“Nga viti 2017 deri në vitin 2021, numri i azilkërkuesve shqiptarë u rrit nga rreth 1 mijë e 900 në pak më shumë se 5 mijë e 100”.

Walsh shton se shifrat pritet të jenë sërish më të larta këtë vit, duke pasur parasysh se pak më shumë se 4 mijë e 700 shtetas shqiptarë aplikuan për azil në gjysmën e parë të 2022.

Dhe në muajt e fundit të vitit 2022, totali ka kaluar në 30 mijë.

Sipas studiuesit shumica e përftuesve janë gra, se kjo vjen pasi Qeveria britanike mendon se ato kanë qenë të trafikuara.

Konkretisht vetëm 15% e rasteve të meshkujve arrijnë të përftojnë azil, ndërsa gratë 90 % të rasteve.

“Suksesi i përfitimit të azilit për shqiptarët në vende si Gjermani, është gati zero. Autoriteteve të azilit u nevojiten mesatarisht rreth 16.7 muaj për t’iu përgjigjur një kërkese për azil dhe se disa shtete anëtare të BE thjesht i kanë mbyllur derën shqiptarëve duke mos miratuar më kërkesa për azil të paraqitura tek ata”.

Një fakt tjetër që ka ndikuar nëse mund të quhet “prishje imazhi” të shqiptarëve është se shqiptarë të burgosur në Angli dhe Uells përfaqësojnë kombësinë më të lartë në numër.

“Më 30 korrik 2022, ishin mbi 81 mijë persona të burgosur në Angli dhe në Uells. Nga të gjithë këto 10 mijë ishin nacionalitete të huaja, e shqiptarët 1 mijë e 336”.

Por, sërish profesori i Oksfordit mendon se është problematike kur një komunitet i tërë bëhet kokë turku përshkak të një minorance.

“Kjo po shihet te shqiptarët në Angli. Realisht mendoj se koka e turkut vjen vetëm nga rritja e ardhjes me varka”.

Në fund të fundit, Shqipëria nuk përfaqësohet në Mbretërinë e Bashkuar vetëm nga të burgosurit.

Walsh pranon fare mirë për AP-në se kohë më parë foli për çështjen e shqiptarëve në Parlamentin anglez së bashku me një personalitet shqiptar, profesorin Andi Hoxhajn.

“Ai është një shembull i mirë, një nga profesorët më të mirë në sistemin britanik. Kemi Rita Orën, Dua Lipën dhe shumë ambasadorë të tjerë”.

Gjithsesi përpos emrave të suksesshëm fushata në dukje “anti-shqiptare” nuk ka ndaluar.

Ajo nuk ndaloi as me marrëveshjen mes dy liderëve të vendit, Edi Rama dhe Rishi Sunak.

Doktori i shkencave është i mendimit se marrëveshja nuk do ta zgjidhë çështjen e emigrantëve.

“Shumica e tyre vijnë për një jetë më të mirë, dhe është një çështje komplekse. Dhe është tepër e vështirë që thjesht një marrëveshje bilaterale të arrijë ta zgjidhë këtë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore