Lajme

Situata në Kosovë vendoset në agjendën e punimeve të Këshillit të BE-së


Situata e tensionuar në veri të Kosovës do të përfshihet në agjendën e diskutimeve të 12 dhjetorit në Këshillin e Punëve të Jashtme të Bashkimit Evropian.

Lajmi u bë i ditur nga përfaqësuesit diplomatikë të Lituanisë, duke cituar statusin e tyre në Twitter.

“Nesër ministri i Jashtëm i Lituanisë, Gabrielius Landsbergis do të marrë pjesë në FAC, ku do të diskutohet agresioni ushtarak i Rusisë kundër Ukrainës dhe situata në Iran. Ministrat do të diskutojnë gjithashtu çështje të tjera kyçe të politikës së jashtme si situata në Moldavi, Kosovë, Tunizi dhe Jemen”, vëren deklarata zyrtare.

Këshilli i Punëve të Jashtme pritet të vazhdojë diskutimin e tij për sulmin ushtarak të Rusisë ndaj Ukrainës, duke ngritur çështje të tilla si sanksionet, përgjegjësia dhe mbështetja për shtetin lindor.

Ministrat e Jashtëm të BE-së do të diskutojnë edhe situatën në Iran.

Pikat e tjera të rendit të ditës përfshijnë situatat në Moldavi dhe Tunizi, rajone afër kufijve jugorë të BE-së dhe të drejtat e njeriut.

Ministrat e Jashtëm do të takohen gjithashtu për një mëngjes jozyrtar të Partneritetit Lindor të BE-së.

Ndërtimi i situatës

Tensionet u rritën në veri të Kosovës pasi sulmues të panjohur shkëmbyen zjarr me policinë dhe hodhën një granatë trullosëse ndaj zbatuesve të ligjit të BE-së gjatë natës.

Qindra serbë, të indinjuar për arrestimin e një ish-oficeri policie, u mblodhën sërish herët në mëngjes në postblloqet e ngritura të shtunën dhe paralizuan trafikun në dy pika kufitare nga Kosova drejt Serbisë.

Disa orë pasi barrikadat u ngritën, policia tha se ata pësuan tre sulme të njëpasnjëshme me armë zjarri të shtunën mbrëma në një nga rrugët që çojnë në kufi.

Njësitet policore në vetëmbrojtje “janë detyruar t’u përgjigjen me armë zjarri personave dhe grupeve kriminale, të cilët janë zmbrapsur dhe janë lënë në drejtim të panjohur”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Policia e Bashkimit Evropian e vendosur në rajon si pjesë e misionit për sundimin e ligjit (EULEX) tha se ata ishin gjithashtu në shënjestër me një granatë trullosëse, por asnjë oficer nuk u lëndua.

“Ky sulm, si dhe sulmet ndaj policëve të Kosovës, janë të papranueshme”, thuhet në një komunikatë të EULEX-it.

Tensionet u rritën pasi Kosova caktoi zgjedhjet lokale në komunat me shumicë serbe për 18 dhjetor, me partinë kryesore politike serbe që tha se do i bojkotonte.

Shpërthime dhe të shtëna u dëgjuan në fillim të kësaj jave ndërsa autoritetet zgjedhore u përpoqën të përgatisin terrenin për votim.

Menjëherë pasi u shfaqën pengesat, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani vendosi të shtyjë zgjedhjet për datën 23 prill.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore