Lajme

Simiç pas vizitës në ShBA: Është e pabesueshme që Kurti është kaq rezistent ndaj presionit të bashkësisë ndërkombëtare


Nënkryetari i Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve të Kosovës, Igor Simiç, në një intervistë për mediumin serb Kosova Online, ka folur për vizitën e tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjatë këtij muaji.

“Gjatë bisedës kemi theksuar vazhdimisht se është e pabesueshme që dikush si Albin Kurti mund të jetë kaq rezistent ndaj presioneve të bashkësisë ndërkombëtare”, tha Simiç.

Ai ka theksuar se lobi shqiptar në SHBA është shumë i fortë dhe se “atë që ambasadori Gjuriç ka bërë në vitet e fundit me ekipin e tij, e ka bërë komuniteti shqiptar prej dekadash”.

“Megjithatë, ne erdhëm nga Uashingtoni me njëfarë optimizmi, nga njëra anë për shkak të asaj që po bën ambasadori ynë Gjuriç dhe nga ana tjetër, sepse hasëm në mirëkuptim nga njerëzit që vendosin për shumë gjëra në terren dhe që janë të vetëdijshëm se kush është përgjegjës për situatën në të cilën ndodhemi”, shtoi ai.

“Prandaj, i bëj thirrje edhe një herë të gjithë bashkëqytetarëve që të qëndrojnë të qetë, të përmbajtur, por asnjëherë të mos ndalojnë së luftuari për të drejtat e popullit serb. Ne duhet të luftojmë për lirinë në mënyrë paqësore”.

Ai thotë se gjatë vizitës së tij në ShBA është pyetur edhe për rolin e Listës Serbe për de-përshkallëzim të situatës në Veri.

“Natyrisht që ka pasur edhe pyetje për rolin e Listës Serbe në de-përshkallëzimin e situatës në terren, por ne jemi përgjigjur qartë se nuk kemi ndërmarrë asnjë veprim që ka çuar në situatën në të cilën ndodhemi”.

“Si Lista Serbe ashtu edhe populli serb kanë protestuar në mënyrë paqësore për më shumë se 60 ditë në luftën për të drejtat themelore të njeriut”, potencoi Simiç.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore