Lajme

Silvio Berlusconi justifikon luftën ruse në prag të zgjedhjeve italiane


Ish-kryeministri italian ka justifikuar pushtimin e Ukrainës nga Vladimir Putin, duke thënë se lideri rus ishte shtyrë drejt konfliktit.

85-vjeçari ka thënë se trupat ruse duhej të zëvendësonin qeverinë ukrainase me “njerëz të mirë” dhe më pas të largoheshin.

Ai është një aleat afatgjatë i presidentit rus.

Këtë fundjavë partia e tij pritet të marrë pushtetin si pjesë e një koalicioni të krahut të djathtë në zgjedhjet e përgjithshme në Itali.

Sipas Berlusconi-t, narrativa që pretendon se qeveria ukrainase po masakronte rusishtfolësit në lindje të vendit u krijua nga media në Moskë.

Dhe se raportimi, i shtyrë nga forcat separatiste dhe politikanët nacionalistë në qeverinë ruse, nuk e kishte lënë Putinin pa zgjidhje tjetër veçse të niste një pushtim të kufizuar.

“Putini u shty nga popullsia ruse, nga partia e tij dhe nga ministrat e tij për të shpikur këtë operacion special”, ka thënë ai.

“Trupat duhej të hynin, të arrinin në Kiev brenda një jave, të zëvendësonin qeverinë Zelensky me njerëz të mirë dhe një javë më vonë të ktheheshin”, ka shtuar ai.

Berlusconi ka vijuar po ashtu se në vend të kësaj ata gjetën një rezistencë të papritur, e cila më pas u ushqye nga armë të të gjitha llojeve nga Perëndimi.

Sakaq, udhëheqësit e opozitës i dënuan shpejt komentet e tij, me liderin Carlo Calenda që e akuzoi atë se fliste “si një gjeneral i Putinit”.

Edhe Enrico Letta i qendrës së majtë ka thënë se ndërhyrja vërtetoi nëse zgjedhjet e së dielës janë “të favorshme për të djathtën, njeriu më i lumtur do të ishte Putini”.

Por Berlusconi u përpoq të sqaronte komentet e tij, duke thënë se pikëpamjet e tij ishin “thjeshtuar shumë”.

Prej kohësh, ai ka qenë një admirues i Putinit, në vitin 2012 duke iu bashkuar kryeministrit të atëhershëm për një udhëtim skijimi në qytetin rus Sochi .

Por në prill, ai e dënoi pushtimin duke thënë se ishte “thellësisht i zhgënjyer dhe i trishtuar” nga sjellja e Putinit.

Gjithashtu ka shtuar asokohe se “masakrat e civilëve në Bucha dhe në lokalitete të tjera janë krime të vërteta lufte”.

Marrë nga “BBC”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore