Shqipëria

Siguronin ndihmë nga Lindja e Mesme me synim vendet e BE-së/ Arrestohet shqiptari, në kërkim siriani


Të dielën e 14 nëntorit në prangat e policisë ka rënë një shtetas shqiptar dhe është shpallur në kërkim bashkëpunëtori një sirian, të cilët jepnin ndihmë për të kaluar kufirin emigrantë të paligjshëm.

Përkatësisht shtetasi H. L., 29 vjeç, banues në Durrës, akuzohet për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” e kryer në bashkëpunim, ndërsa u shpall në kërkim  bashkëpunëtori i tij shtetasi sirian K. A., 40 vjeç, banues në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Në vijim të operacionit të koduar “The Invitation” u bë i mundur arrestimi i 29-vjeçarit.

Nga hetimet ka rezultuar se këta dy shtetas në bashkëpunim dhe me persona të tjerë nga Emiratet e Bashkuara Arabe, siguronin ftesa fiktive për persona të ndryshëm të huaj kryesisht nga vende si Siria, Egjipti dhe shtete të tjera nga Lindja e Mesme.

Ata vinin në Shqipëri me justifikimin për qëllime turistike, të cilët më pas ju siguronin ndihmë për t’u larguar në mënyrë të jashtëligjshme nga vendi ynë drejt vendeve të BE-së.

Në vijim të veprimeve nga specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë u proceduan penalisht dhe shtatë shtetas të huaj, për veprën penale “ Kalimi i paligjshëm i kufirit”. Konkretisht shtetasit A., 33 vjeç; A. A., 38 vjeç; B. B., 28 vjeç; A. A., 34 vjeç; A. A., 52 vjeç; A. I., 54 vjeç; A. M., 39 vjeç.

Ndërkohë vijon puna për identifikimin e personave të tjerë, të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore