Lajme

Si të dalloni lajmet e rreme nga konflikti Rusi-Ukrainë?


Videot e aktorëve nga një film ukrainas i xhiruar në vitin 2020 janë bërë virale në Facebook dhe TikTok - me njerëz që pretendojnë në mënyrë të rreme se sulmet në vend po 'inskenohen'.

Pushtimi rus i Ukrainës ka shkaktuar një valë falsiteti në mediat sociale dhe valët e transmetimit – kësisoj, në një seri të re podkastesh të Radio 4, “War on Truth” (Lufta në të verteten), reporterja, Marianna Spring, ka ndjekur historitë rasteve të dezinformuara, prandaj ajo jep disa këshilla se si t’i shmangni ato.

Reporterja profesioniste, Spring ka bërë të ditur se që nga fillimi i luftës në Ukrainë, kutia e saj postare është mbushur me mesazhe nga njerëz që tregojnë për video mashtruese në burimet e tyre të mediave sociale dhe llogaritë e faqeve të ndryshme, që promovojnë teori konspirative.

Marianna Spring – Reportere.

Dhe nuk është vetëm në mediat sociale – është gjithashtu propagandë e sponsorizuar nga shteti që shtyn pretendime të rreme në transmetim dhe më gjerë, shkruan BBC.

Në një seri të re podkastesh, ajo ka raportuar për betejën e informacionit që po zhvillohet mbi Ukrainën – dhe njëkohësisht të njerëzve që i konsumojnë pikërisht këto informacione.

Si mund të dalloni informacionin e pavërtetë – dhe të ndaloni përhapjen e tij?

Kujdes nga videot e vjetra dhe mashtruese

VIDEO TË VJETRA – Ky pamje u portretizua si nga konflikti në Ukrainë – por në fakt është xhiruar në Siri.

Ka video shumë reale dhe shqetësuese, të cilat shpërndahen në rrjet për ta pasqyruar situatën në Ukrainë.

Por ka edhe pamje nga konfliktet e vjetra që po bëhen virale dhe shpesh njerëzit i shpërndajnë ato sepse shokohen me pamjet dhe mbase përpiqen të kontribuojnë në ndihmë, duke mos e pasur parasysh që ata vetëm se po e përkeqësojnë gjendjen.

Mënyra më e mirë për të kuptuar nëse një video është e vërtetë apo jo është të kërkoni të dhëna – si moti, shenjat rrugore dhe gjuhët që njerëzit flasin.

Videot e pushtimit rus të Krimesë dhe nga shpërthimi në Bejrut në vitin 2020 janë shpërndarë gjerësisht, duke pretenduar se janë nga konflikti aktual.

Duke përdorur Google Maps, mund të kuptoni nëse videoja është vërtet nga vendi ku pretendohet të jetë.

Dhe duke përdorur kërkime të kundërta të imazheve – të disponueshme nga një numër faqesh interneti – mund të shihni nëse e njëjta video ose imazh është shpërndarë në internet më parë.

Kjo është një shenjë që tregon se është ricikluar nga një ngjarje e mëparshme.


Kush po e ndan atë – dhe pse?

Steven Seagal nuk po lufton në luftë – ky është një postim i rremë i bërë për t’u dukur sikur është dërguar nga CNN.

Është e rëndësishme të shqyrtohet se kush ka shpërndarë një postim në radhë të parë. A mund të verifikoni se cilët janë ata – dhe a janë ata një burim i besuar?

Ata që kanë postuar video mashtruese ndonjëherë kërkojnë pëlqime dhe shpërndarje.

Është një kohë shqetësuese – dhe postimet në lidhje me atë që po ndodh në Ukrainë ka të ngjarë të vazhdojnë.

Të tjerë po ndajnë pretendime të rreme për të nxitur narrativa të caktuara – për të nxitur agjendat e tyre politike ose për të mbjellë dyshime dhe konfuzion.

“Disa të rinj në vend më kanë treguar për llogari pro-ruse që debatojnë me ukrainasit, duke sugjeruar pa asnjë provë se lufta është inskenuar ose se Ukraina po bombardon territorin e saj”, thotë Spring.

Si të verifikoni videot

Reporterja tregon se si një burrë qe e kishte intervistuar i kishte shpjeguar se edhe fotografitë e shtëpisë së tij pranë Kievit të shkatërruar plotësisht nga bombat nuk mund t’i bindnin njerëzit se ishin të vërteta.

Kjo pasi që llogari fallco në rrjet kanë marrë imazhin e profilit të tyre nga vende të tjera në internet dhe përdorin emra të përgjithshëm përdoruesish.

Ata gjithashtu filluan të postojnë vetëm pasi filloi pushtimi dhe është e vështirë të merret vesh se kush i drejton në fund të fundit këto llogari.

Llogaritë e tjera që kanë promovuar pretendime të rreme për pandeminë COVID, e kanë kthyer vëmendjen e tyre në ndarjen e teorive të rreme konspirative rreth luftës.

Ndalo para se ta shpërndash

Shumë nga imazhet në mediat sociale për luftën janë të frikshme. Ajo shkakton një reagim – dhe kjo do të thotë që njerëzit ndonjëherë ndajnë postime përpara se të kontrollojnë nëse janë të vërteta.

Prandaj, dezinformimi përhapet sepse luan me emocionet dhe paragjykimet e njerëzve.

Nuk ka të bëjë vetëm me emocionet negative – ndonjëherë historitë shpresëdhënëse mund të bëhen virale.

Ndërsa mund të rrisin moralin, ato kontribuojnë në kaosin në internet dhe e bëjnë më të vështirë të kuptosh se çfarë po ndodh në të vërtetë.

Lufta e informacionit ka të bëjë më shumë se sa media sociale. Është një betejë e zhvilluar nga qeveritë në Ukrainë dhe Rusi, të cilat po shtyjnë propagandën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore