Shqipëria

Si i duan shqiptarët deputetët?


Cilësia më e vlerësuar nga shqiptarët që ta kenë deputetët, është ai i të qenit i mirarsimuar.

Kjo është e dhëna që ka nxjerrë një sondazh i ndërmarrë nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM) me mbështetjen e NDI Albania, mbi angazhimin politik në Shqipëri gjatë vitit 2020.

60% e shqiptarëve kanë cilësuar se deputeti, i cili i përfaqëson, duhet të jetë i mirarsimuar. Ndërkohë 55% preferojnë që ai të jetë pranë problemeve që kanë qytetarët.

Gjysma e shqiptarëve e cilësojnë si më të përshtatshëm qenien e deputetit nga zona ku ai vetë po kandidon.

Shifra të ulëta vërehen për sa i përket përvojës që ata kanë në biznes apo të qenit besnik të partive që përfaqësojnë. Përkatësisht, dy të fundit, me 6% dhe 7% preferencë. Që të ketë përvojë në politikë, e preferojnë vetëm 12% e qytetarëve të Shqipërisë.

Shifrat më interesante që vërehen, janë ato të tre kategorive që kanë marrë pëlqyeshmëri mesatare.

Vetëm 44% e shqiptarëve preferojnë që deputetët të jenë të pavarur në mendimet e tyre. Shifër që mund të reflektojë kultin e kreut të partisë, duke mos menduar mbi intelektin e vet deputetëve.

Me vizion dhe mentalitet të ri, e preferojnë përfaqësuesin e tyre ligjvënës vetëm 36% e popullatës. Ky mund të jetë një tregues mbi mospasjen e nevojës për ndryshim të klasës politike në Shqipëri.

Ndërkaq, shifra më interesante është ajo që i përket të bërit kompromise për hir të interesit publik. Çereku i shqiptarëve do të preferonin këtë kategori deputeti, respektivisht 24%.

Ky sondazh i ndërmarrë nga dy organizata joqeveritare mund të japë një tablo ilustruese mbi ku mund të drejtohet vota e 25 prillit.

Nga një pamje e parë, arsimi duket se është thelbësor, gjë që reflektohet edhe në kulturën kolektive të të dëshiruarit të diplomave.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore