Kosova

Si është të jesh 24 vjeç e të nënshkruash Deklaratën e Pavarësisë? – Njomza Emini me intervistë ekskluzive për momentin “që lëvizi malet”


Ish deputetja e LDK-së, Njomza Emini.

Në nënshkrimet e shumta në dokumentin prej papirusi të deklaratës së pavarësisë së Kosovës, është edhe një i vendosur nga dora e një 24 vjeçareje.

Njomza Emini është deputetja më e re që qëlloi në Seancën e Kuvendit të Kosovës me 17 shkurt 2008, ditën kur Kosova u shpall shtet.

“Duke qenë deputetja më e re e atij mandati, ka qenë jo vetëm nder por edhe përgjegjësi për të përfaqësuar secilin të ri e të re”, kujton Emini momentin historik në një shpalosje të rrallë dhe ekskluzive për Albanian Post.

Emocione? Sa të duash.

Jo veç atë ditë, por edhe 15 vjet prapa.

“Proceduralisht kishte zgjatur një ditë, por përjetimi ka qenë dhe vazhdon të mbes i përjetshëm edhe sot kur kalojnë përvjetorët me radhë”, thotë Emini për AP.

E re u mor me politikë dhe e re e la politikën. Tash ka tjetër angazhim, por thirrjen e ka të njëjtë si atëherë.

“Duhet ta kemi parasysh se nuk ka vend më të mirë se shteti jonë”, deklaron Emini, duke e kuptuar se “disa kanë mllef e pasiguri”, por “sërish vendi ku kanë lindur prindërit tonë, ku kemi lindur shumica nga ne nuk mundet të urrehet”.

“Kosova ka nevojë për dashuri, për përkushtim e për shpirtin e këtij populli që ka lëvizur edhe malet”.

Intervista e plotë e Njomza Eminit për Albanian Post:

Albanian Post: Keni qenë deputetja më e re në legjislaturën që shpalli pavarësinë e Kosovës, 15 prapa, ku ju rikthen kjo datë dhe si e kujtoni 17 shkurtin e vitit 2008?

Njomza Emini: Tashmë kanë kaluar 15 vjet nga ajo ditë, është e pamundur të shprehi emocionet që kisha, por jam e bindur që emocione të jashtëzakonshme kanë pasur të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës. Duke qenë deputetja më e re e atij mandati, ka qenë jo vetëm nderë por edhe përgjegjësi për të përfaqësuar secilin të ri e të re, që në atë kohë kishin qenë dëshmitarë të asaj të cilën e kemi kaluar dhe mundësive që po vinin.

Proceduralisht kishte zgjatur një ditë, por përjetimi ka qenë dhe vazhdon të mbes i përjetshëm edhe sot kur kalojnë përvjetorët me radhë. Ndoshta kemi pasur përshtypje tjera për atë ditë, duke qenë se kemi ndërtuar shtetin tonë për herë të parë, megjithatë kjo që e kemi është dëshmia më e mirë se si ndihet dikush që është shtetas i këtij shteti.

Atë ditë përveç që isha në kontakt me deputet e asaj kohe, mbaja kontakte me familjarët që më ofronin çdo moment mbështetjen e tyre, duke më qëndruar afër së paku me mesazhe e me telefonata përkundër se nuk kishim mundësi të dilnim e të takohemi fizikisht deri në momentin e shpalljes së Pavarësisë. Me kolegët nuk kishim ndasi ndërmjet grupeve politike, ishte një qëllim të jemi së bashku në një moment lavdie për qytetarët tonë e moment thirrjeje për qytetarët e shteteve tjera ta njohin Pavarësinë e Republikës së Kosovës e të jemi popull i barabartë me të tjerët.

Albanian Post: Për shpalljen e Pavarësisë ka qenë shumë e diskutueshme edhe vendosja e datës. Kur e kuptuat ju, a iu kujtohet momenti?

Njomza Emini: Të gjithë e dinim se ato ditë ishte periudha kur do shpallej Pavarësia, për momentin e caktuar nuk kishim informacion deri atë ditë kur na u kumtua se duhet të jemi prezent në ambientet e Kuvendit për seancë. E kishim parasysh që megjithatë ai moment kishte ardhur, por ishim të kufizuar në trajtimin e informacioneve me të tjerët jashtë Kuvendit. Kemi diskutuar me kolegët ato ditë shumë, ishte diçka e re dhe e panjohur për ne që po vinte. Ato ditë edhe në media ishte e famshme fraza se Kosova “e di datën e Pavarësisë”, megjithatë përveç periudhës nuk kemi qenë të informuar për datë të saktë deri në momentin që ka ndodhur.

Këshillat ndaj nesh ishin ato kohë që të mos udhëtojmë jashtë për shkak se nga momenti në moment mund të përballemi me shpalljen e pavarësisë, gjë për të cilën të gjithë ishim të interesuar të jemi prezent në ato momente të shpalljes. Nuk kishim hezitime sepse për të qenë e saktë, ashtu si e përmenda më lartë periudhën e dinim por datën e saktë jo. Me aq sa kam diskutuar me gjithë kolegët ato kohë nuk kishte kundërshtime të mëdha, ka mundur të jetë ndonjë rast i veçantë megjithatë si grupe të deputeteve nuk kishim kundërshtime.

Albanian Post: Që nga momenti i shpalljes së Pavarësisë, cilin e konsideroni avancimin më të madh të Kosovës?

Njomza Emini: Absolutisht me të gjitha periudhat e mira dhe më pak të mira që kemi pasur, jemi dëshmitarë që kemi avancuar në raport me çfarë kemi qenë. Sot, jemi më të organizuar në mbrojtje të të drejtave të njeriut përkundër se përballemi çdo ditë me vështirësi e raste deri edhe makabre të dhunës apo ndodhive tjera.

Sot, kemi infrastrukturë më të mirë se që e kishim, mos ta harrojmë luftën e fundit dhe rajone të tëra të pazhvilluara që ishin në Kosovë. Kemi industri të lehtë më të zhvilluar se që e kishim, edhe në periudhën e paraluftës për afro 10 vite prodhimi në shumicën e ndërmarrjeve ishte ndalur apo ishin shkatërruar pasuritë e Kosovës, me avancimin e sektorit privat ka veprimtari biznesore shumë më të organizuara.

Albanian Post: Kanë kaluar 15 vjet dhe në kohën kur ishit deputete, ku mendonit se do ta shihnit Kosovën më mirë. Cilat kanë qenë pritshmëritë e juaja?

Njomza Emini: Pritshmëritë e mia më të mëdha kanë qenë tek avancimi i pozitës ndërkombëtare të Kosovës. Sot ka më tepër se dy vjet që nuk kemi njohje të re që është shumë sfiduese për shtetësinë tonë, megjithatë ka zhvillime pozitive. Vitin e kaluar kemi anëtarësuar Komitetin Paralimpik të Kosovës në Komitetin Paralimpik Ndërkombëtar, në status të përkohshëm deri në marrjen e statusit të vendit anëtarë këtë vit. Kemi progres edhe në organizime tjera të cilat kanë theksuar përkushtimin e shumë profesionistëve në sport, art, kulturë e fusha tjera për ta lartësuar Republikën e Kosovës.

Varet nga momente të caktuara me sfidat të cilat përballemi që edhe shtete të tjera përballen, por nuk duhet të humbim shpresën dhe vullnetin që ky vend do bëhet edhe më i mirë e më i zhvilluar. Kemi arritur në nivele të tilla që për sundim të ligjit jemi para shteteve tjera, gjithashtu shumë procese demokratike janë larg më të mira se në shtete tjera. Pra, pritshmëritë janë të përziera por dëshira është e njëjtë, ky vend të vazhdoj zhvillimin dhe sukseset. Jam e bindur thellë që dëshirat i kemi të njëjta me gjithë qytetarët, megjithatë duhet dhënë kohën e duhur edhe institucioneve për të arritur atë që presim ose që është e rrugës të realizohet.

Po, jam shume e vetëdijshme që kemi pasur pritshmëri tjera, por shihni shtetet e rajonit që janë me qindra e dhjetëra vjet shtete para nesh, ata ende kanë shumë më tepër probleme në shërbime të cilat ne i kemi më të mira. Korrupsioni, është sfidë jam e vetëdijshme por shoqëria e vetëdijshme ndihmon shtetin në luftimin e tij, si dhe reformat e pritshme në gjyqësor.

Albanian Post: A keni sot një urim për kosovarët?

Njomza Emini: Më tepër shpresë e përkushtim për Republikën e Kosovës, ne si qytetarë të gjithë e duam të ndihmojmë institucionet të bëhet ky vend edhe më i zhvilluar e më i jetueshëm. Të ndihmojmë nga respektimi i njeri tjetrit deri tek kontributet tjera për shtetin. Duhet ta kemi parasysh se nuk ka vend më të mirë se shteti jonë, sot ndoshta disa kanë mllef e pasiguri, por sërish vendi ku kanë lindur prindërit tonë, ku kemi lindur shumica nga ne nuk mundet të urrehet. Kosova ka nevojë për dashuri, për përkushtim e për shpirtin e këtij populli që ka lëvizur edhe malet.

Një sërë ngjarjesh lanë gjurmë në historinë 15-vjeçare të Kosovës që nga anëtarësimi në organizata të ndryshme ndërkombëtare e deri tek mirëpritja e festivaleve dhe eventeve botërore.

Përpjekjet e Kosovës për Pavarësi, filluan tri dekada më parë, kur asaj iu hoq dhunshëm autonomia që gëzonte brenda Jugosllavisë së atëhershme.

Mundi dhe sakrifica për të shpallur Pavarësinë e Kosovës kishte nisur që nga viti 1999.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore