Lajme

Si e fitoi luftën me krokodilin burri nga Queensland


Një krokodil i ujërave të kripura në Queensland, Australi.

Një burrë nga Queensland, në Australi, u ka shpëtuar nofullave të një krokodili, duke e goditur në kokë me një thikë xhepi, teksa zvarraniku e tërhiqte zvarrë, në shtratin e një lumi në Cape York.

Oficerët e parkut dhe kafshëve të egra thanë se 60-vjeçari ishte duke peshkuar në pronën e tij në brigjet e një pjese të largët të lumit McIvor, pranë Hope Vale, javën e kaluar, raporton The Guardian.

Ai pa diçka që qëndronte në një pjesë të bregut ku donte të peshkonte, kështu që e largoi. Teksa përgatitej të hidhte grepin e tij, një krokodil doli nga uji dhe e rrëzoi atë.

Më pas, krokodili shtrëngoi nofullat e tij rreth çizmeve dhe filloi ta tërhiqte zvarrë në breg. Burri u kap te një degë peme dhe u mbajt.

Përfundimisht, ai humbi forcën dhe e lëshoi degën në të cilën mbahej, teksa zvarraniku e tërhiqte në lumë.

Burri përdori thikën e tij të xhepit për të goditur zvarranikun në kokë, në mënyrë të përsëritur, përpara se të hynte në ujë, duke e detyruar zvarranikun që ta lëshonte 60-vjeçarin.

Më pas, ai u nis me makinë në spitalin e Cooktown dhe prej andej u dërgua në Cairns, ku po shërohet nga plagët e tij.

Ekspertët e Departamentit të Mjedisit dhe Shkencës biseduan me burrin në spital, të martën dhe zbuluan se lëndimet e tij ishin në përputhje me një sulm krokodili.

Por, Departamenti tha se, për shkak të vendndodhjes së largët të pronës dhe mungesës së aksesit publik, nuk do të përpiqen të kapin krokodilin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore