Shqipëria

Si do t’i japë fund tregtimit të produkteve të falsifikuara projektligji për markat tregtare?


Projektligji “Për Markat Tregtare” pritet t’i japë fund tregtimit të produkteve të falsifikuara, apo atyre që janë imitim i markave të shtrenjta.

I hedhur për konsultim Publik nga Ministria e Financave, përpos synimit të përafrimit të legjislacionit me BE-në, projektligji parashikon padi për falsifikatorët dhe bllokim të mallit që kanë nxjerrë në treg.

Referuar relacionit, në tregun vendas ka presona të ndryshëm që po dëmtojnë konkurrencën dhe po cenojnë interesat e konsumatorëve, duke tregtuar imitime të markave.

“Këto përpjekje negative përveçse dëmtojnë interesat ekonomike të pronarëve të markave me reputacion në treg, ato dëmtojnë dhe deformojnë gjithashtu tregun dhe interesat e konsumatorëve”, thuhet në të.

Projektligji në fjalë ju njeh të drejtën pronarëve të markave të ngrenë padi në gjykatë ndaj tregtarëve që abuzojnë, si dhe të kërkojnë dëmshpërblim për dëmin që ju është shkaktuar.

“Projektligji i kushton një rëndësi të veçantë masave për mbrojtjen e markave dhe të drejtave të pronarëve të markave nga cenimet që u bëhen atyre nga spekulatorë dhe manipulatorë të tregut. Në këtë aspekt, projektligji parashikon të drejtën e pronarëve të markave që cenohen nga veprime shkelëse të ngrenë padi, të paraqesin prova dhe t’i sigurojnë këto, të kërkojnë marrjen e masave të përkohshme për parandalimin e një shkeljeje, nxjerrjen jashtë qarkullimit, konfiskimin dhe vënien nën kontroll të mallrave që dyshohet se shkelin të drejtat e markave të regjistruara më parë dhe kështu me radhë”, thuhet në relacion.

Ndërkohë, në rastet kur gjykata vendos në favor të markave, kërkohet edhe dëmshpërblim i tyre nga abuzuesi.

Në nenin 134 të projektligjit është parashikuar edhe dëmshpërblimi i pronarëve të markave nga shkelësit, dhe dëmi do të përllogaritet duke marrë në konsideratë, dëmin efektiv dhe atë real, fitimin e munguar të pagës së dëmtuar për shkak të përfitimit të padrejtë të shkelësit, si dhe vlerësohet edhe dëmi moral, cenimi i emrit apo dëmi reputacional tregtar.

“Me kërkesë të palë së dëmtuar, gjykata urdhëron shkelësin që është përfshirë në veprimtari shkelëse të paguajë shpërblimin e dëmeve të shkaktuara si pasojë e shkeljes së të drejtave të markës tregtare. Në përllogaritjen e masës së shpërblimit të dëmit, gjykata mban parasysh çdo dëm efektiv dhe real, duke përfshirë fitimin e munguar të palës së dëmtuar, çdo përfitim të padrejtë të realizuar nga shkelësi dhe, sipas rastit, dëmin moral që i është shkaktuar palës së dëmtuar nga shkelja, cenimi i emrit dhe reputacionit tregtar”, thuhet në nenin 134 të projektligjit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore