Shqipëria

Si do të qëndrojmë në këtë lagje të Evropës, së bashku apo duke i vënë flakën njërit-tjetrit?, shtron pyetjen Rama


Në ceremoninë e hapjes së edicionit të parë të Panairit të Verërave në Serbi, kryeministri Edi Rama është shprehur se kjo nismë duhet çuar përpara.

Përpara sepse është një nismë për njerëzit dhe për të gjithë ata që ofrojnë shërbime dhe që prodhojnë.

Atje, për herë të parë prodhuesit u bënë bashkë për të promovuar verërat e rajonit, krahas prodhuesve të mirënjohur botërisht në Serbi.

“Vendosa të mos e përdor fjalën që më kanë shkruar sepse fillonte me shprehjen që ne në Shqipëri kemi krijuar verën e parë në Ballkan që në Epokën e Bronzit”, e ka nisur fjalën Rama.

“Nuk e di sa e vërtetë është kjo por di që kemi humbur kohë duke i treguar njëri-tjetrit kush ka qenë i pari. Por një gjë e kemi mësuar të gjithë që asnjë prej nesh nuk do shkojë diku tjetër”, ka vijuar ai.

Sipas kryeministrit, dy zgjedhje ka. Ose të bashkëpunohet ose ‘t’i vihet flaka’.

“Vendet janë këtu për të qëndruar vite e shekuj pas nesh dhe zgjedhja jonë është si të qëndrojmë këtu së bashku në të njëjtën lagje të Evropës dhe ta bëjmë më të jetueshme apo duke hedhur gurë mbi tjegullat e njërit-tjetrit, apo duke i vënë flakën njëri-tjetrit”, ka thënë ai.

Rama ka ravijëzuar po ashtu se Ballkani i hapur është shumë më tepër se ekonomi dhe tregti.

“Ballkani i Hapur është një projekt paqeje, një projekt i bashkimit në paqe të një vizioni të përbashkët në paqe që një lagje e Evropës të bëhet vendi i të ardhmes për të gjithë rininë tonë”, ka përmbyllur ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore